Ekonomi

Mbahet punëtori për hartimin e nismës legjislative për “Projektligjin për kripto-asete”

Grupi Punues për hartimin e nismës legjislative për “Projektligjin për kripto-asete”
Grupi Punues për hartimin e nismës legjislative për “Projektligjin për kripto-asete”

Grupi i Punues për hartimin e nismës legjislative për “Projektligjin për kripto-asete”, i kryesuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila, më 7 dhe 8 mars 2023, mbajti punëtori në funksion të përafrimit të kësaj nisme legjislative me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit.

Në fjalën hyrëse, kryesuesja e grupit të punues, Mimoza Kusari-Lila, duke theksuar rëndësinë e këtij projektligji në funksion të thithjes së investimeve shprehu edhe nevojën që nisma ligjore të përputhet me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira.

Ndërsa, Frank Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë shprehu gatishmërinë e Këshillit të Evropës për të vijuar mbështetjen ndaj Kuvendit në përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për asetet virtuale me rekomandime dhe aktivitetet e mëtejshme dhe zhvillim të kapaciteteve për organet mbikëqyrëse dhe autoritetet ligjzbatuese, si dhe vetëdijesim për sektorin privat.

Aktivitetin e përshëndeti edhe Massimiliano Prozzo, menaxher programi nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në këtë aspekt, 30 përfaqësues nga ministritë e linjës, Banka Qendrore, ARKEP, Njësia e Inteligjencës Financiare, Policia, Administrata Tatimore, Doganat, asociacionet e bizneseve dhe subjektet raportuese morën pjesë në diskutimet e grupit të punues për rishikimin e nismës legjislative për kripto-asetet.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte të ofrojë një platformë për grupin punues për të diskutuar mundësitë dhe sfidat lidhur me rregullimin e aseteve virtuale në Kosovë, duke u fokusuar në ngritjen e mekanizmave përkatës, procedurat e rregullimit të saj dhe mbikëqyrjen e bazuar në standardet ndërkombëtare si edhe praktikat e mira.

Punëtoria shërbeu gjithashtu si një forum për shkëmbimin e praktikave të mira dhe sfidave nga rregullatorët, institucionet partnere dhe sektori privat.

Pjesëmarrës nga grupi i punues ishin anëtarët Driton Hyseni dhe Valentina Bunjaku-Rexhepi, si dhe deputeti Alban Bajrami.

Punëtoria u organizua nga Grupi i Punues i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, me mbështetje të “Projektit kundër Krimit Ekonomik” (PECK III), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës.

/Shqip.com