Kulturë

Mbahet për herë të pestë në Berat konkursi kombëtar për çmimin “Vexhi Buharaja”

Mbahet për herë të pestë në Berat konkursi kombëtar për çmimin “Vexhi Buharaja”
Mbahet për herë të pestë në Berat konkursi kombëtar për çmimin “Vexhi Buharaja”

Në 104-vjetorin e lindjes së poetit, studiuesit dhe përkthyesit “Vexhi Buharaja”,emrin e të cilit mban edhe biblioteka e qytetit të Beratit, është organizuar në ambientet e kësaj biblioteke konkursi: Çmimi Letrar “Vexhi Buharaja”.

Në edicionin e 5-të të këtij konkursi morën pjesë të rinj nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Amerika etj.

Konkursi u zhvillua në kategoritë: poezi, ese e përkthime dhe pjesë e tij u bënë 52 krijues, që performuan denjësisht në fushat e përzgjedhura. Në përbërje të jurisë së këtij konkursi kanë qenë: Profesor Ymer Ciraku, poetja dhe përkthyesja Olimbi Velaj, poeti dhe përkthyesi Primo Shllaku, poeti dhe studiuesi Yzedin Hima dhe në cilësinë e kryetarit të jurisë Aleksandër Çipa, publicist, gazetar dhe kryetari i UGSH-së.

Të pranishmit në këtë event, ku vlen të përmendet rritja e cilësisë në krijime nga viti në vit, janë ndalur edhe në figurën e Vexhi Buharasë, si një vlerë e shtuar në gjerdanin e artë të vlerave njerëzore e kulturore të qytetit të Beratit, si një nga figurat e shquara që dha një kontribut të çmuar në fushën e letërsisë kombëtare dhe në atë të përkthimit, sidomos në gjuhët origjinale.

Juria dinjitoze, me emra të njohur në fushën e letërsisë, akademisë, gazetarisë dhe publicistikës i dha rëndësinë e veçantë këtij çmimi, duke përcaktuar edhe fituesit e 3 kupave. Tre çmimet e para të këtij konkursi u fituan: në poezi nga Nurije Embrullai, nga Maqedonia e Veriut, në kategorinë përkthim nga Myrteza Bode, nga Berati dhe në kategorinë ese nga Agron Tufa.

Për kryebashkiakun e Beratit, Ervin Demo, ky event që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme, është një nga eventet më të rëndësishme të organizuara në qytet, ku nga viti në vit numri i pjesëmarrësve po rritet.

Çmimi Letrar “Vexhi Buharaja” startoi 5-vjet më parë, në 99-vjetorin e lindjes së studiuesit e orientalistit të famshëm shqiptar Vexhi Buharaja dhe bashkia e qytetit vendosi ta zhvilloi këtë konkurs mbarëkombëtar çdo vit, si një risi dhe traditë për qytetin kulturor të Beratit.

/Shqip.com