Lajme

MASHTI tregon se në cilat raste shkollat kalojnë në mësim online

Foto e ilustruar

Rritja e rasteve me të infektuar me Coronavirus në Kosovë, dita-ditës po vazhdon të rritet. E si rrjedhojë e kësaj, disa shkolla janë mbyllur për të vazhduar më pas mësimin sipas skenarit C.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së fundmi ka publikuar rekomandimet që ka dhënë Task forca, në rastet kur një klasë apo shkollë duhet të kalojë në mësim online.

“Task Forca në nivel të MASHTI, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2021, nxori rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste: Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase; Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19; Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike”, thuhet në njoftim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit

“Brenda një shkolle mund të aplikohet më shumë se një skenar, pra disa klasë mund të punojnë me prezencë fizike dhe orar të plotë (Skenari i Rikthimit), ndërsa ndonjë klasë tjetër online (Skenari C)”, thuhet në komunikatë.

Në rast nevoje për organizimin e mësimit online mund të shërbejnë video-mësimet që emetohen në RTK4 çdo ditë pune prej 9-16 h sipas orarit të hartuar nga MASHTI.

Po ashtu, për mësimin online shkollat mund të shfrytëzojnë platformën zyrtare ëëë.shkollat.org, por edhe platformat tjera që janë në dispozicion si: Zoom, eShkollori, Google Meet, etj.

Në institucionet e arsimit të lartë, mësimi mund të organizohet me prezencë fizike me kusht që grupet me mbi 50 persona të akomodohen në jo më shumë se 50% të hapësirës.

MASHTI rithekson rëndësinë e respektimit të masave mbrojtëse të përcaktuara me legjislacion dhe vendime të organeve kompetente. Në kohën e sotme, mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është vaksinimi, prandaj ftojmë të gjithë nxënësit e moshës 12 vjeç e më lartë, studentët,  mësimdhënësit dhe familjarët e tyre të vaksinohen, sepse kështu sigurojmë që institucionet arsimore të mbeten të hapura dhe ruajmë shëndetin publik./Shqip.com