Lajme

MASHTI thotë se janë gati për 1 shtator, SBASHK-u ende në grevë

Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit Dukagjin Pupovci, ka konfirmuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2022/2023.

Pupovci thotë se përgatitjet janë bërë që mësimi të fillojë më 1 shtator, ndërsa nuk dihet nëse do të nisë në këtë datë për shkak të grevës edhe në sektorin e arsimit.

“Po, mund të konfirmoj se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për fillimin e procesit mësimor. Natyrisht, Sindikata gëzon të drejtën e garantuar ligjore për organizim dhe reagim sindikal, por nuk mund të cenoj edhe të drejtat e nxënësve për shkollim. Këto dy çështje duhet të balancohen dhe sigurisht të gjenden forma të tjera të shprehjes së pakënaqësisë, përveç të pengimit të procesit mësimor”, ka thënë Pupovci për Radio Kosovën.

Ilustrim

Lidhur me këtë çështje, njohësit e arsimit thonë se duhet të gjenden forma të tjera sindikale për të shprehur pakënaqësitë.

Për paralajmërimet e grevës në sistemin arsimor, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka thënë se cikli i vazhdueshëm i këtyre paralajmërimeve është shpërqendruese për komunitetin arsimor.

 “Me Ligjin e ri të Pagave, vërehet një përkushtim institucional karshi profesionit të mësimdhënies dhe rritjes në pagë. Besoj se kjo do të ishte e mjaftueshme që ndërprerja e procesit mësimor të mos konsiderohej, por kërkesat e tjera sindikale të arriheshin të negocioheshin me forma të tjera të reagimit sindikal”, u shpreh Qehaja.

Ndërkaq, sa u përket teksteve shkollore, ato tashmë janë shpërndarë nëpër shkolla.

Ilustrim

Ndërsa Pupovci, ka bërë të ditur se kostoja e teksteve këtë vit është më e lartë, rreth 15 milionë euro, për shkak të faktit se të gjitha janë tekste të reja./Shqip.com