Lajme

MASHTI do të ndërtojë çerdhe të parafabrikuara

Arbërie Nagavci - Ministre e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ministria që ajo drejton është duke punuar intensivisht në edukimin e hershëm të fëmijëve, përkatësisht në ndërtimin e çerdheve.

Ajo tha se ministria ka planifikuar që të ndërtojë çerdhe të parafabrikuara të cila janë trend në botë dhe që mund të lëvizin nga një vend në një tjetër në varësi të nevojës së popullsisë.

Nagavci ka thënë se edukimi i hershëm është shumë i rëndësishëm për fëmijët dhe shoqërinë në përgjithësi, teksa ka treguar se në fillim të mandatit të saj është zotuar për 160 çerdhe të reja.

“Një nga prioritet tona ka qenë edukimi i hershëm i fëmijëve. Kemi finalizuar Ligjin për Fëmijëri të Hershme. Element tjetër po aq i rëndësishëm është edhe krijimi i infrastrukturës së duhur për fëmijët. Kemi dhënë zotimin se do t’i ndërtojmë 160 çerdhe gjatë mandatit tonë”, tha ministrja Nagavci.

Ministrja ka treguar se së shpejti do të shpallet edhe tenderi për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara, teksa ka ftuar komunat dhe kompanitë për bashkëpunim.

“Kemi finalizuar edhe studimin e fisbilitietit të çerdheve të parafabrikuara që janë trend në botë. Studimi ka treguar që ekzistojnë mundësitë që ato të krijohen. Ne tashmë kemi filluar një bashkëpunim me komunat dhe kemi filluar që t’i dërgojmë letra kryetarëve të komunave.

Shumë shpejt do të kemi takim më kryetarët e komunave që të shtojmë bashkëpunimin në këtë drejtim. Kemi përgaditur gjithë materialin e nevojshëm për shpalljen e tenderit për ndërtimin e çerdheve të parafabrikuara dhe ftoj të gjitha kompanitë që të ofrojnë projektet e tyre”, theksoi Nagavci.

/Shqip.com