Lajme

MASHTI do të ndajë nga shtatë mijë euro për 20 studentë që studiojnë master në universitetet prestigjioze

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, do të mbështesë financiarisht deri në shtatë mijë euro studentët që vijojnë studimet e nivelit master në universitetet prestigjioze në botë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci ka thënë se numri i përfituesve do të jetë 20.

“Kam nënshkruar sot vendimin për shpalljen e thirrjes publike për mbështetje financiare për studentët që janë regjistruar apo vijojnë studimet e nivelit master në top universitetet më prestigjioze në botë. Shuma maksimale e kësaj mbështetje financiare do të jetë 7.000 euro për student/e ndërsa numri i përfituesve do të jetë 20”, shkroi Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Nagavci tha se përparësi do të kenë studentët të cilët studjojnë në fushat e inxhinierisë dhe teknologjisë informative dhe komunikimit si dhe personat që nuk kanë gjendje të mirë ekonomike apo sociale.

“Përparësi do të kenë ata që studiojnë në fushat e inxhinierisë dhe të teknologjisë informative e komunikimit, aplikantët me gjendje më të dobët socio-ekonomike, personat me aftësi të kufizuara si dhe aplikantët të cilët studimet paraprake në nivelin bachelor i kanë përfunduar në institucione publike”.

Tutje, Nagavci tha se për të rritur përfaqësimin e grave në mesin e studiuesve, gratë do të zgjidhen me preferencë në rastet e kualifikimit të barabartë të kandidatëve gra dhe burra./Shqip.com