Lajme

MASHTI: S’ka pushim të hënën, në shkollat ku votohet zhvillohet mësimi online

Bankat Shkollore

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që një ditë pas zgjedhjeve, më 18 tetor, të mbahet procesi mësimor, përcjell Shqip.com.

Sipas njoftimit, në shkollat të cilat më 17 tetor do të jenë qendra të votimit, mësimin do ta zhvillojnë sipas skenarit C (mësimi online), kurse shkollat që nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor e vijojnë sipas planifikimeve.

“MAShTI i ka njoftuar komunat që shkollat të cilat më datë 17 tetor do të jenë qendra të votimit, mësimin më datën 18 tetor ta zhvillojnë sipas skenarit C, ndërsa shkollat të cilat nuk janë qendra të votimit, procesin mësimor e vijojnë sipas planifikimeve paraprake”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Lexo edhe:
SBASHK-u kërkon që e hëna të jetë ditë pushimi për shkollat

Tutje, Ministra thotë se komunat e kanë për obligim që pas përfundimit të procesit zgjedhor, t’i dezinfektojnë shkollat dhe t’i ajrosin mirë që të jenë të gatshme për procesin mësimor më 19 tetor.

Ndërkaq, të martën, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës, Kulturës e Kosovës ka bërë kërkesë që të hënën, më 18 tetor të mos mbahet mësimi në shkollat të cilat janë qendra të votimit.

“SBASHK-u ka përkrahur propozimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës që të hënën e 18 tetorit mos të mbahet mësimi në shkollat e Kosovës, por ajo ditë të shfrytëzohet për ajrosjen dhe dezinfektimin e gjithë ambienteve shkollore me qëllim që të krijohen parakushtet për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe punëtorëve arsimor”, thuhet në komunikatën për media./SHQIP.com