Lajme

MASHT-i synon reforma në arsim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci

Tash e sa kohë po flitet për proces të reformave në sistemin e arsimit në vend. Me ndryshimin e infrastrukturës ligjore, pritet të reformohen shumë çështje në sistemin arsimor. U fillua me rishikimin e teksteve shkollore, e deri në fund të vitit MASHT synon të krijojë kushte më të mira në të gjitha aspektet e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Për këto tema ka folur për mediumin publik, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Kosova për herë të tretë ishte pjesë e testit ndërkombëtar PISA. Në fund të këtij viti pritet të shpallen rezultatet e këtij testi. Drejtues në Ministrinë e Arsimit vënë në dukje se nuk presin ndryshime në rezultatet nga vitet e kaluara, por sipas tyre ato do të determinojnë edhe reformat arsimore.

“Rezultatet që do të marrim sivjet do ta konfirmojnë se nuk ka rrugë tjetër përveçse një pune me një përkushtim shumë të madh”, thotë Nagavci.

Infrastruktura ligjore është në rrugën e ndryshimit në ligjin për maturën, atë të inspektoratit, ligjin për agjencinë e akreditimit, ligjin për arsimin e lartë dhe ligji për tekste shkollore.

“Na mundësojnë realizimin e kompetencave dhe përgjegjësive tona për të ndikuar në përmirësimin e cilësisë në arsim”,  u shpreh Nagavci.

Përveç ndryshimit të ligjit për tekste shkollore, tashmë janë krijuar mekanizmat për fillimin e rishikimit të teksteve. Fillimisht do të niset me rishikimin e gjuhës shqipe dhe matematikës.

“Synimi jonë është që të kemi të dhëna të saktësuara dhe të plota në bazë të cilave pastaj do të bëjmë edhe përmirësimet e nevojshme”, tha ajo.

Përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme do të rritet viteve në vijim, pasi deri më tani sipas drejtues të arsimit janë ndërtuar 4 çerdhe të reja, dhe 19 objekte të tjera janë në proces të fillimit të ndërtimit dhe adoptimit të objekteve në çerdheve në të gjithë Kosovën.

/Shqip.com