Lajme

“Gërdeci”/ Çfarë dëshmoi para GJKKO Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha

Zbardhet dëshmia e Shkëlzen Berishës në gjykatë ku vijoi sot procesi gjyqësor për Fatmir Mediun i akuzuar për shpërdorim detyre lidhur me ngjarjen e Gërdecit, ku nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve humbën jetën 26 njerëz.

Diten e ngjarjes kam qenë jashtë Shqipërisë me familjen time. Nuk më kujtohet se nga kush e mora vesh shpërthimin, por besoj që nga mediat”, ka thënë Shkëlzen Berisha.

Berisha u pyet për komunikimet që ka pasur me Mihal Delijorgjin dhe Ministrin e Mbrojtjes të asaj kohe Fatmir Mediu.

Sipas SPAK ditën e ngjarjes ka pasur 5 telefonata me Mediun. Shkëlzen Berisha e pranoi se ka pasur telefonata ditën e shpërthimit që i mori jetën 26 personave, por se nuk kanë qenë në lidhje me Gërdecin por për një problem shëndetësor që kishte një familjar i Mediut.

“Me Mediun njihem prej 1994, kemi patur marrëdhënie personale dhe miqësore. Nuk kemi bërë biseda për demontimin. Kam patur një bisedë me Mediun kur ndodhi shpërthimi, arsyeja ishte për çështje shëndetësore që lidheshin me Mesiun. Nuk kam fiksuar asnjë bisedë me Mediun përveç kësaj”.

Prokurorët e pyetën nëse njihej me Mihal Delijorgjin pronarin e fabrikës së demontimit të municioneve Alba – Demil.

Ai deklaroi se kishte pasur komunikim me të në fillim të vitit 2008 për një çështje konsulence për një klient të tij për të parë disa ambiente.

SPAK e vuri përpara faktit se kishte folur 44 herë nga janari në mars, kur ka ndodhur tragjedia e Gërdecit.

Shkëlzen Berisha tha se kishte pasur dijeni për aktivitetin e demontimit, por nuk dinte se ku ndodhej

Sa i takon ish ministrit të Drejtësisë tha: “Me Aldo Bumçin njihem, kam marrëdhënie miqësore, për shkak të përfshirjes së tij në politike. E njoh që prej vitit 2004″.

/Shqip.com