Lajme

“Marrëveshja me Kosovën, zgjidhje e Open Balkan”, Rama: Respekte për Vuçiçin, zgjodhi paqen

Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama është duke qëndruar në Beograd në kuadër të Samitit “Open Ballkani”.

Ai nga atje ka shprehur respektin ndaj Aleksandër Vuçiçit për të cilin tha se ka zgjedhur paqen, ndërsa iu referua marrëveshjes Serbi-Kosovë.

Ai po ashtu ka thënë se ky panair i ngjanë atyre botërore.

“Dua ta falenderoj presidentin Vuçiç dhe ekipin e tij sepse panairi nuk kishte asgjë më pak se panairet e së njëjtës fushë me famë botërore. Në këtë panair ishin bashkë dhe shumë prodhues të mirënjohur të verërave. Dje mund të kishte qenë një ditë tjetër, ku mediet tona dhe të Evropës të ishin të mbushura me lajme për atë që ndodh në kufirin mes Serbisë dhe Kosovës.

Dita e djeshme tregoi se cila është rruga dhe cila është zgjedhja e Ballkanit të Hapur. Sot dua ta them me krenari që edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është një zgjidhje e Ballkanit të Hapur. Dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë, që zgjedhja e parë është paqja”, ka deklaruar ai.

Në këtë Samit është duke marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetari i Këshillit të Ministrave të BeH Zoran Tegeltija, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë i Hungarisë Peter Sijarto dhe shefi i diplomacisë turke Mevlut Çavuşoğlu.

Ndryshe, Kosova është një nga shtetet skeptike të Ballkanit Perëndimor për t’u përfshirë në projektin ”Ballkani i Hapur”.

Kryeminstri, Albin Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal./SHQIP.com