Lajme Ballkan

Marrëveshja me Kishën Ortodokse, Qeveria e Abazoviqit mbetet pambështetje

Dritan Abazoviq

Qeveria e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviqit ka mbetur pa mbështetjen e Partisë Socialdemokrate (SDP) dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Kjo mbështetje është ndërprerë pasi që Abazoviq, ka nënshkruar tekstin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Analisti politik nga Podgorica, Zllatko Vujoviq, beson se Demokratët do të kenë ndikim kyç në fatin e mëtejshëm politik të Qeverisë së Abazoviqit, e cila ka mbetur pa mbështetjen e shumicës në Kuvend.

Presidenti i Malit të Zi, si dhe kryetari i DPS-së, Millo Gjukanoviq kishte thënë se rënia e qeverisë atje mund të ngadalësoj rrugën e tyre drejt BE-së.

“Rënia e Qeverisë aktuale mund të ngadalësojë rrugën e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, por ne nuk mund ta tolerojmë neglizhencën ndaj interesave kombëtare”, ka thënë Gjukanoviq.

Megjithatë, blloku politik që ka votuar për Qeverinë e Abazoviqit, nuk ka mjaftueshëm deputetë për ta shkarkuar atë, raporton REL.

Demokratët dhe DF-ja, me gjithë kritikat dhe rezistencën ndaj Qeverisë së pakicës, nuk janë deklaruar ende në mënyrë eksplicite nëse do të votojnë për shkarkimin e Qeverisë ose jo.

Ndërsa, Abazoviq ka thënë se do të shihet se “cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”, duke lënë të kuptohet se DPS-ja nuk do të mund të sigurojë shumicën prej 41 deputetësh për shkarkimin e Qeverisë së tij.

Daliborka Ulareviq, nga Qendra për Edukim Qytetar, thotë se Abazoviq dhe ministrat janë “mbyllur hermetikisht” ndaj të gjitha argumenteve që ka ofruar sektori i OJQ-ve.

Ulareviq thotë se paralajmërimi i Abazoviqit se do të organizojë konsultime me sektorin joqeveritar dhe ekspertët për marrëveshjen që tashmë është miratuar, është “fyerje e logjikës”.

Më 11 korrik, Qendra për Edukim Qytetar ka prezantuar një sondazh të opinionit publik, i cili ka nxjerrë në pah se vetëm 11 për qind e qytetarëve kanë qenë të interesuar për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Megjithatë DPS-ja dhe SDP-ja kanë gjithashtu mundësi që të ndërmarrin një iniciativë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit, e cila do të çonte pastaj në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Edhe për këtë iniciativë – si në rastin e mosbesimit ndaj Qeverisë – përveç votave të partive të pakicave, të cilat nuk dihet nëse i kanë, u duhet së paku edhe një votë nga radhët e partive të mbledhura rreth Frontit Demokratik pro-rus ose Demokratët./SHQIP.com