Lajme Ballkan

“Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë është larg”

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq në takim në Bruksel

“Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë është larg”.

Kështu kanë vlerësuar dy njohësit e politikave të Beogradit, Milazim Krasniqi dhe Azem Vllasi.

Ky i fundit në një prononcim për Shqip.com, ka thënë se pala serbe po blen kohë para zgjedhjeve parlamentare që i ka në prill të vitit 2022 dhe nuk është e interesuar për marrëveshje finale.

“Pala serbe kështu po blen kohë ngase nuk është e interesuar për rezultat final para zgjedhjeve që i ka në prill të nvitit 2022. Ashtu që dialogu do të vazhdoj por si dialog i të shurdhërve, tha njohësi i politikave të Serbisë, Azem Vllasi.

Mendimin e njëjtë për mosarritjen e një marrëveshjeje finale e ka edhe profesori, Milazim Krasniqi.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi.

Krasniqi për Shqip.com ka deklaruar se marrëveshje finale nuk mund të ketë për shkak se, “Kurti ka një lloj dogmatizmi dhe frike se po bën tradhëti, dhe Vuçiq për shkak se i ka zgjedhjet parlamentare në Serbi”.

“Takimet edhe ato përpara janë më shumë show mediatik sesa që janë takime për të gjetur zgjidhje, në atë sa është parë tashmë, as Kurti në anën e vetë dhe për motive të veta, por as Vuçiq në anën dhe për motive të veta, nuk janë të interesuar për marrëveshje”, deklaroi ai.

Sipas tij, Vuçiq, takimet eventuale në Bruksel do t’i përdorë për propagandë politike në Serbi, për të fituar në zgjedhjet e prillit 2022.

“Pra momentumi nuk është i përshtatshëm për ndonjë marrëveshje, takime mund të ketë, por takimet vetëm shfrytëzohen për shembull  në tregun e brendshëm politik, nëse do të ketë takime, Vuçiqi do ta shfrytëzojë atë për propagandë politike në Serbi se ‘është i fortë e nuk lëshon pe’, ‘kërkon bashkësinë e komunave’, etj”, shtoi Krasniqi.

Ndërkaq, lidhur me Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë, Azem Vllasi vlerëson se pala serbe është e përqendruar tërësisht në krijimin e saj, sepse dëshiron që “ky asociacion të shëndrrohet në instrument për përzierje të saj permanente në punët e brendshme të Kosovës e jo që ta avancojë pozitën e Serbëve të Kosovës”.

Njohësi i politikave serbe dhe avokati, Azem Vllasi.

“Pala serbe është përqendruar tërësisht në temën e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ngase për atë çështje pala kosovare ka qëndrim krejt të kundërt”.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Vllasi tha se “pala kosovare duhet t’i përmbahet qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Ndërkaq, për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbie, Milazim Krasniqi mendon se është marrëveshje ndërkombëtare, dhe si e tillë ajo duhet të nënshkruhet nga cilado qeveri që është në pushtet.

“Sepse është votuar edhe në Kuvendin e Kosovës”, thotë Krasniqi.

“Çështja është se bashkësia e komunave serbe është një marrëveshje ndërkombëtare ku Kosova e ka pranuar dhe votuar në Kuvendin e Kosovës. Si e tillë ajo është obligim ndërkombëtar dhe ajo duhet përmbushur nga cilado qeveri që do të jetë në pushtet”.

“Po ashtu çështja është që qeveria duhet të përgatitet më së pari është se do të duhej ta hartonte një draft statut në bazë të përpjekjeve që ka pasur Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pra të eliminohen të gjitha elementet e pushtetit ekzekutiv”, deklaroi ai.

Por, Krasniqi thotë se deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti, dhe presidentes, Vjosa Osmani, për mospranimin e krijimit të Asociacionit, është edhe “konfrontim me administratën amerikane dhe me Brukselin”.

“Ideja që ka Vjosa Osmani dhe Kurti që nuk e pranojnë fare është sikur ta godasësh murin me kokë, sepse në atë moment ata vijnë në konfrontim me administratën amerikane dhe me Brukselin që kërkojnë që të realizohet ky vendim që është i Parlamentit të Kosovës”, shtoi ai.

Tutje, profesori është pesimist se do të ketë njohje reciproke, pasi që “Serbia në asnjë moment nuk është e gatshme që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”.

Ai thotë se Serbia fillimisht do të mundohet të formojë Asociacionin e Komunave Serbe, të realizojë disa çështje teknike dhe në fund të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative, që zhbllokon procesin në Integrimin Evropian, por nuk i jep njohje Kosovës.

“Unë kam dëshirë por fare nuk besoj që do të ketë njohje reciproke, sepse Serbia në asnjë moment nuk është e gatshme që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur”.

“Serbia do të mundohet fillimisht ta marrë Bashkësinë e Komunave Serbe, të realizojë disa prej çështjeve teknike dhe në fund të shkojë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative e cila zhbllokon procesin në integrimin Evropian por që Kosovës nuk ia jep njohjen”, shtoi Krasniqi.

Ndryshe, gjatë këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq – janë takuar vetëm dy herë në Bruksel.

Në të dyja takimet, nuk ka pasur ndonjë rezultat të ndonjë dakordimi të arritur mes palëve.

Ndërkaq, të enjten, Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka vizituar Kosovën.

Lajçak pas takimit me Kurtin, u deklarua se është duke vazhduar përgatitja e takimit mes Kurtit dhe Vuçiq, por që dëshiron rezultat nga ky takim.

Megjithëse shprehi dëshirën që takimet të japin rezultate, por Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës midis palëve./SHQIP.com