Lajme

Marin Gjonaj rikthen me status aktiv në QKR kompaninë “Crypto World 2”. Biznesmeni i hetuar për fermë bitcoin-i, hyn sërish në shënjestrën e SPAK?

Biznesmeni i tregtimit të energjisë Marin Gjonaj rezulton se qëndron pas kompanisë Crypto World 2 shpk, e cila në janar të vitit 2023 kërkoi riaktivizimin e aktivitetit pranë Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pasi kishte kaluar më herët në status pasiv.

Dokumenti zyrtar, i firmosur nga administratorja Enxhi Hasani, kërkon rikthimin e shoqërisë në “status aktiv”, duke argumentuar vendimin vetëm me formulimin e përgjithshëm “për arsye të brendshme të shoqërisë”.

Në pamje të parë procedura duket rutinë administrative, por emri i kompanisë dhe personat që lidhen me të ngrenë pikëpyetje mbi aktivitetin real që synohej të riaktivizohej, sidomos për shkak të precedentëve penalë që kanë shoqëruar emrin e Gjonajt në të kaluarën.

Disa vite më parë, Marin Gjonaj u shpall në kërkim në kuadër të hetimeve për ngritjen e një ferme bitcoin-i, një aktivitet që në atë periudhë konsiderohej me risk të lartë dhe nën monitorim nga autoritetet ligjzbatuese dhe institucionet financiare. Megjithatë, hetimet ndaj tij do të mbylleshin më pas nga prokuroria, në rrethana që kanë ngritur dyshime dhe pikëpyetje mbi mënyrën sesi u administrua dosja.

Riaktivizimi i një kompanie me emërtim të lidhur drejtpërdrejt me aktivitetet “crypto”, në një kohë kur tregu i kriptomonedhave në Shqipëri vazhdonte të konsiderohej problematik dhe me boshllëqe të mëdha kontrolli, shton pikëpyetjet mbi funksionin real të kësaj strukture tregtare.

Marin Gjonaj zotëron 51% të kuotave të Crypto ëorld 2 shpk dhe Thoma Zbogo 49%. Administratore e kompanisë është Enxhi Hasani.

Në vitin 2022, ndaj ortakut të Marin Gjonajt, Thoma Zbogo është vendosur masë sekuestro konservatite pikërisht në subjektin “Crypto World 2” shpk me NIPT M12309016L, lëshuar nga shoqëria mpërmbarimore Corrector sh.p.k.

Më pas, kjo masë sekuestro për moskthim të një kredie ndaj Bankës Amerikane të Investimeve, sekuestroja është hequr. Debitorë ishin GECO 2003, Foto Jani Zbogo, Thoma Foto Zbogo dhe me hipotekues GECO 2003 e KEMPIXH shpk. Huaja bankare, vlera e të cilës nuk dihet, sipas dokumenteve është kthyer në datën 30 nëntor 2022, ndërsa masa e sekuestros ishte vendosur në qershor të këtij viti.

Ekspertë të ekonomisë dhe hetimit financiar kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se kompani të tilla mund të përdoren si struktura për qarkullim fondesh, investime me origjinë të paqartë apo aktivitete të lidhura me tregjet virtuale jashtë kontrollit të institucioneve mbikëqyrëse.

Në dokumentin e depozituar pranë QKB-së nuk jepen detaje konkrete mbi arsyet e pezullimit të mëparshëm të aktivitetit apo mbi natyrën e veprimtarisë që kompania synon të ushtrojë pas riaktivizimit të saj. Me gjasë, kompania Crypto World 2 shpk ka mbyllur aktivitetin pasi Marin Gjonaj u shpall në kërkim nga drejtësia për ngritjen e një ferme bitcoin-i në Shijak.

A pritet të jetë përsëri subjekt i SPAK brokeri i energjisë, Marin Gjonaj? Mbetet për t’u parë…

©Shqip.com