Marin Gjonaj kërkon t’u grabitë tokat për të ndërtuar park fotovoltaik, banorët e Gjoricës ngrihen në protestë
Banorët e Gjoricës protestojnë kundër fotovoltaikëve, në tokat e tyre, një projekt ky pas të cilit qëndron oligarku i energjisë, Marin Gjonaj. Të enjten, banorët hynë në ambientet e bashkisë duke kërkuar ndalimin e projektit, të cilin e konsiderojnë kërcënim të drejtpërdrejtë për kullotat që përdorin prej vitesh për blegtori. Sipas tyre, humbja e këtyre hapësirave rrezikon jetesën e dhjetëra familjeve që mbështeten tek bagëtia.
Situata është përshkallëzuar edhe më tej për shkak të pranisë së forcave të policisë, të cilat kanë penguar hyrjen e banorëve në sallën e mbledhjes së Këshillit Bashkiak, duke çuar në ndërprerjen e saj.
Protestuesit kanë ngritur gjithashtu akuza për parregullsi në procesin e miratimit të projektit, duke pretenduar se firmat në mbështetje të tij janë mbledhur edhe nga persona që nuk jetojnë në Gjoricë, çka sipas tyre e bën të pavlefshëm procesin.
Kjo përplasje nuk është e izoluar. Vetëm pak javë më parë, një dëgjesë publike në Gjoricë të Poshtme u shoqërua me tensione të forta, pasi banorët kundërshtuan dhënien me ankand të tokave pyjore dhe kullosore për projekte ekonomike, kryesisht energjetike.
Në atë takim, komuniteti ngriti shqetësimin se mbi 100 hektarë tokë janë dhënë tashmë për projekte të tilla, ndërsa sipërfaqe të tjera janë në plan, duke reduktuar ndjeshëm hapësirat për blegtori.
Banorët paralajmërojnë se nëse kjo prirje vijon, zona rrezikon të humbasë funksionin e saj tradicional ekonomik dhe të përballet me braktisje, ndërsa theksojnë se nuk janë kundër investimeve, por kundër mënyrës se si po realizohen ato.
Bashkia e Bulqizës ka miratuar kalimin e tokave me sipërfaqe 42.5 hektarë për projekti ‘Gjorica Solar Park’.
Procedurat në terren për projektin ‘Solar Park Gjorica’ nisën në fund të vitit 2023, ndërsa në gusht të 2025 Enti Rregullator i Energjisë miratoi nisjen e procedurës për licencim kompanisë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk për impiantin në rrugën “Gjorica e Poshtme”, Njësia Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë.
© Shqip.com