Lajme

Maria Bamieh: Nga përgjimet kishte dyshime se zyrtarët e EULEX-it tentonin ta fshinin rastin e Tolajt

Ish-prokurorja e Eulexit, Maria Bamieh

Ish-prokurorja e misionit të EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh ka folur për përfshirjen e zyrtareve të EULEX-it në afera për të mbyllur rastin penal kundër Ilir Tolajt.

Në një konferencë për media Maria Bamieh,  tha se derisa punonte si prokurore në EULEX, kishte alarmuar për dyshime për korrupsion brenda këtij misioni ndërkombëtar.

Ajo kishte hetuar një rast në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Më tutje vazhdova t’i kryejë detyrat e mia, ku më pastaj hetova një rast në Ministri të Shëndetësisë, ku i akuzuar ishte Ilir Tolaj. Unë kam pasur përgjime të ligjshme që përfshinin disa ndërhyrje, ku kolegu im gjerman i kishte përgjuar ato por që nuk kishte diçka konkrete”, tha Bamieh.

Sipas prokurores, Tolaj posedonte telefon në burgun në të cilën ndodhej.

Ajo mori urdhëresë për përgjimin e atij telefoni. Sipas Bamieh, nga këto përgjime u kuptuan aferat në mes zyrtarëve të EULEX-it dhe ndërmjetësëve të Tolajt.

Ilir Tolaj

“Unë u njoftova se Ilir Tolaj posedonte një telefon në kohën sa ishte në burg dhe unë e mora një urdhëresë nga Gjykata që ta përgjojë atë telefon, dhe nga ato përgjime u bë e dukshme që ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Flori, po takohej me përfaqësues të zotri Tolajt dhe se kishte ndodhur një takim në “Villa Gërmia”, dhe në ato përgjime po merrnin informata dhe se ata po mundoheshin që ta zhduknin atë rast”.

Sipas prokurorës i përfshirë në këtë rast ishte edhe ish-kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna dhe ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Francesko Florit, të cilët kishin rënë në përgjim të Task Forcës kundër korrupsionit duke komunikuar dhe takuar sekserë të ndryshëm.

Në aktakuzë thuhej se Ilir Tolaj, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte liruar nga aktakuzat Tolajn./Shqip.com