Kulturë

Margariti, 2023-shin e ka konsideruar një vit të mbarë për turizmin kulturor

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e ka konsideruar një vit të mbarë, 2023-shin, për turizmin kulturor. Kjo bazuar në shifrat e bëra publike së fundi, ku duket se viti 2023 ka tejkaluar edhe shifrat e vitit 2019, përpara se të niste pandemia.

“Numri i vizitorëve në muze, parqe arkeologjike, kala e monumente pësoi një rritje të ndjeshme, duke tejkaluar vitin më të mirë, atë 2019”, shkroi ministrja në rrjetet sociale duke dhënë edhe statistikat e vizitorëve nga viti në vit.

Për periudhën janar-dhjetor 2023, muzetë kombëtare u vizituan nga 391608 turistë vendas e të huaj. Për të njëjtën periudhë, vizitueshmëria e parqeve arkeologjike arriti në 342824 persona, ndërsa kalatë dhe monumentet e tjera të kulturës u vizituan nga 271383 persona.

Sipas statistikave të publikuara këto ditë, fluksi i madh i turistëve të huaj, përfshirë edhe vizitorët vendas, solli më shumë se 342 milionë lekë të ardhura nga shitja e biletave në institucionet e kulturës.

/Shqip.com