Sport Shqiptar

Maraj reagon pas vendimit të FBK-së

Me qëllim të shmangies së incidenteve, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka marrë vendim me të cilin ndalon udhëtimet e tifozëve mysafirë për të gjitha ndeshjet e Superligës së Kosovës.

Rreth këtij vendimi të FBK-së  ka pasur shumë reagime, ndër të cilët edhe ai i kryetarit të Sigal Prishtinës, Burim Maraj, i cili tha se vendimi është i dhimbshëm për tifozët dhe basketbollin kosovar.

“Vendimi është i dhimbshëm për Prishtinën, për tifozët më të mirë në botë dhe për basketbollin kosovar. Me këtë vendim klubi më i madh dhe më i trofeshëm në vend dëmtohet më së shumti, kjo për arsye që Sigal Prishtina dhe Plisat kanë dëshmuar tash e sa kohë që sporti dhe pasioni i tifozërisë tonë është përtej çdo niveli, kjo e pranuar edhe nga federatat ndërkombëtare”, tha Maraj.

Po ashtu, Maraj bëri të ditur se tifo-grupi “Plisat” kishin planifikuar që të udhëtonin drejt Pejës për të dhuruar spektakël në tribuna, si dhe për të kaluar “armiqësinë”, sepse mbi të gjitha në fund duhet të fitojë sporti.

“Sigal Prishtina dhe ‘Plisat’ të dielën do të udhëtonin për në Pejë për të dhuruar spektakël dhe fitore të dyfishtë, në parket dhe në tribuna! Kishim miratimin dhe pëlqimin e Klubit të Pejës duke shpresuar që të krijojmë ura të reja bashkëpunimi dhe përmes spektaklit të fuqizojmë edhe më shumë basketbollin kosovar! Koha e armiqësisë së brishtë duhet tejkaluar dhe mbi gjitha të fitojë sporti e me këtë edhe rinia jonë!”, ka shtuar numri një i Sigal Prishtinës.

Për fund, Maraj tha se ky vendim i FBK-së duhej të merrej pas konsultimit me të gjitha klubet e Superligës, si dhe me organet e rendit.

“Mendoj që vendimi për këtë temë duhet të merrej në bashkëpunim me te gjitha klubet, e pse jo këtu të përfshihen edhe organet e rendit! Nëse ka frymë pozitive dhe vëllazërore mes tifozëve dhe klubeve të lejohen sipas dispozitave të përcaktuara në propozicionet e garave, nëse kërcënohet siguria e qytetarit tonë të vendoset bashkërisht për një vendim të mirë dhe pranueshëm për të gjithë. Deri atëherë, uroj që nga këto reagime të klubeve, por edhe të adhurueseve të basketbollit, federata të reflektojë dhe ta rishqyrtojë vendimin e marrë sot”, tha Maraj.

Ky vendim vlen vetëm për ndeshjet e organizuara nga klubet, e jo në ndeshjet dhe ngjarjet e organizuara nga FBK (si Superkupa, Final 8 e të tjera).

/Shqip.com