Lajme Ballkan

Maqedonia e Veriut i dhuron Ukrainës 12 helikopterë luftarakë

Foto ilustruese

Maqedonia e Veriut ka vendosur që t’i dhurojë Ukrainës 12 helikopterët e saj luftarakë, të llojit Mi-24.

Ministrja e Mbrojtjes, Sllavajnka Petrovska, tha për mediat në Shkup se dhurimi i tyre bëhet me kërkesë të Qeverisë ukrainase, por edhe vlerësimeve të Armatës maqedonase se “lirimi nga këto pajisje ushtarake nuk do të dëmtojë kapacitetet mbrojtëse të Maqedonisë së Veriut”.

“Të gjitha pajisjet që janë dhuruar deri më tani, kanë të bëjmë me kërkesën e autoriteteve ukrainase, të cilat janë të afta t’i përdorin, por edhe t’i mirëmbajnë.

Sipas planeve tona të modernizimit, këto pajisje tashmë janë në fund të përdorimit të tyre dhe nuk do të jetë pjesë përbërëse e armatimit tonë. Nëse nuk do t’i dhuronim, jemi të sigurt që në një periudhë të shkurtër kohe do të na duhej t’i asgjësonim”, tha Petrovska.

Ajo tha se Ministria e Mbrojtjes do të blejë të paktën tetë helikopterë të rinj për më shumë qëllime, të cilët do të kenë në radhë të parë rol transportues, dhe jo luftarak.

Maqedonia e Veriut i ka dhuruar Ukrainës edhe tanket të gjeneratës së tretë, që duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë, ato konsideroheshin jokonkurruese dhe jokompatibile.

Ndihma e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut për Ukrainën arrin në 30 milionë dollarë.

Maqedonia e Veriut që në ditët e parë të agresionit rus i ka dhënë mbështetje Qeverisë në Kiev, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa ka mbështetur të gjitha vendimet për sanksione ndaj Rusisë.

Helikopterët e parë Mi-24 e parë Maqedonia e Veriut i bleu nga Ukraina në vitin 2001 në kohën e konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Pas përfundimit të konfliktit, numri i helikopterëve u rrit në 12 dhe paralelisht u bë modernizimi i tyre, proces ky që u ndërpre dy vjetët e fundit për shkak të vlerësimeve të Shtabit të Përgjithshëm se ushtria në zhvillimin e saj të ardhshëm nuk ka nevojë për këtë lloj helikopterëve luftarakë, por avionë të prodhimi i Evropës Perëndimore ose Shteteve të Bashkuara.

Helikopterët Mi-24 janë përdorur në luftën në Afganistan, në atë ndërmjet Irakut dhe Iranit, në konfliktet në Amerikën e Jugut, gjatë luftërave ruso-çeçene, por edhe në Ballkan gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

/Shqip.com