Kulturë

‘Manifesta 14 Prishtina”, programi artistik 100 ditor pritet të fillojë më 22 korrik

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane, me nikoqir Komunën e Prishtinës si bashkë-organizatore e “Manifesta 14 Prishtina”, do të hapë dyert për publikun me 22 korrik.

Sipas një komunikate 102 pjesëmarrësit e këtij edicioni, 38 përqind e të cilëve janë nga Kosova, do të paraqesin veprat e tyre në plot 25 hapësira të ndryshme në Prishtinë. 

“Duke filluar nga ish-hapësira industriale e Fabrikës së Tullave; Hotelit Grand, Qendra për Praktikë Rrëfyese në ish-Biblotekën “Hivzi Sulejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike dhe urbane në qytet, të cilat kanë një qëllim: rikthimin e hapësirës publike në plan afatgjatë”, thuhet tutje në komunikatë.

Edicioni i 14-të i Manifesta, i titulluar “Ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të rrëfejmë tregime ndryshe”, merr sfidën e eksplorimit dhe gjenerimit të praktikave dhe mënyrave të reja të rrëfimit kolektiv.

Sipas Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, “Manifesta 14”, është një mundësi të mirë për zhvillimin e turizmit në Prishtinë, ku sipas tij, priten rreth 100 mijë vizitorë në mes të korrikut dhe tetorit në Prishtinë.

Programi 100 ditor i ngjarjeve dhe punëtorive artistike dhe ndërhyrjeve urbane do të mbahet deri më 30 tetor 2022./Shqip.com