Sport Ndërkombëtar

Manchester United fiton me përmbysje, Arsenali barazon në shtëpi

Manchester United ka fituar 3-2 në shtëpi kundër Nottingham Forest, pavarësisht se ishte në disavantazh prej 0-2, ndërsa Arsenal barazoi 2-2 në fushën e vet ndaj Fulham.

Sfida në :Old Trafford” u zhbllokua që në minutën e 2-të me Awoniyi, i cili kaloi lehtësisht Onanan dhe gjeti rrugën drejt rrjetës. Vetëm dy minuta më pas, Boly dyfishoi avantazhin për mysafirët.

Vendasit reaguan në minutën e 17-të me Eriksen që ngushtoi diferencën dhe që bëri që pjesa e parë të mbyllej me rezultarin 1-2. Pjesa e dytë solli një “panoramë” shumë ndryshe, me Casemiron që barazoi për “Djajtë e Kuq” në minutën e 52-të.

Në minutën e 67-të Nottingham mbeti me dhjetë lojtarë në fushën e lojës, pasi Worrall mori karton të kuq. Ndërsa pas një ndërhyrjeje të gabuar të Danilos ndaj Rashford, United fiton penallti, të cilën në gol e shndërroi Bruno Fernandes, që përmbys gjithçka dhe i dhuroi tre pikë skuadrës së tij.

Ndërsa Arsenali ndalet në shtëpi, në derbin e Londrës ndaj Fulhamit dhe humb mundësinë për t’u shkëputur i vetëm në kryei, në një ndeshje që u komplikua shpejt, pasi Pereira ndëshkoi Ramsdale që në minutat e para të saj.

Megjithatë Arsenali reagoi mirë në pjesën e dytë dhe shënoi dy herë brenda tre minutave, me Saka nga pika e bardhë në të 70-ën dhe Nketiah tre minuta më vonë, duke përmbysur rezultatin.

Gjithsesi skuadra e Artetës tregoi edhe njëherë se mbetet një ekip i brishtë dhe i pazotë për të mbrojtur rezultatin, pasi në minutën e 87’ ishte Palhinha ai që shënoi edhe golin e dytë për Fulham (ishte me 10 lojtarë), duke i dhënë një pikë në “Emirates Stadium”.

/Shqip.com