Sport Ndërkombëtar

Manchester City fiton Kupën FA, Gundogan hero

Manchester City e ka fituar Kupën FA, pasi në finale mundi rivalin lokal, Manchester United me rezultat 2-1.

Vetëm 12 sekonda lojë i mjaftuan kapitenit të “Citizens”, Ilkay Gundogan për të zhbllokuar sfidën, i cili pas asistimit të dhënë nga De Bruyne, gjeti rrugën drejt rrjetës dhe kaloi ekipin e tij në avantazh.

Me këtë gol, Gundogan vendos rekord në FA Cup, pasi realizoi golin më të shpejtë ndonjëherë në një finale të kësaj gare.

Sfida ishte shumë e luftuar nga të dyja anët dhe pas prekjes së topit me dorë në zonë nga Grealish dhe verifikimit në VAR, kryesori i sfidës, Tierney akordoi penallti për Manchester United.

Ekzekutimin nga pika e bardhë e penalltisë e mori përsipër Bruno Fernandes, i cili e dërgoi topin në rrjetë dhe u dhuroi barazimin “Djajve të Kuq”.

Pjesa e dytë e takimit po ashtu rezultoi shumë e luftuar, me të dyja ekipet që tentuan portat respektive.

Megjithatë i asistuar sërish nga De Bruyne, në minutën e 51-të, Gundogan gjeti sërish rrugën drejt rrjetës dhe riktheu avantazhin të skuadra e Guardiolës.

Dy skuadrat u përpoqën të realizonin edhe në vazhdim, megjithatë kjo finale u mbyll me rezultatin 2-1, dhe në “Wembley” festuan tifozët e “Citizens”.

Ky bëhet trofeu i dytë i sezonit 2022-2023 për ekipin e Pep Guardiolës, që më herët siguroi edhe atë të Premier League, ndërsa ka mundësinë të marrë edhe atë të Champions League, në finalen e së cilit do të ketë përballë Interin.

Manchester United dhe Ten Hag, nga ana tjetër e mbyllin këtë vit sportiv me një trofe, atë të EFL Cup.

/Shqip.com