Sport Ndërkombëtar

Manchester City e fiton edhe Superkupën e Evropës

Pasi e fitoi për herë të parë Champions Leaguen, Manchester City triumfon edhe në Superkupën e Evropës, pas fitores ndaj Sevillas. Një sukses i vuajtur, që erdhi vetëm pas gjuajtjes së penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1.

  Manchester City e nisi shumë mirë ndeshjen, teksa e vuri në presion skuadrën spanjolle. Grealish, Foden e të tjerë patën disa raste të mira, por portieri Bono dhe fati shpëtuan spanjollët nga pësimi i golit.

Në momentin më të mirë të anglezëve, vjen goli i Sevillas në minutën e 25-të. Acunha nga e djathta harkon në zonë dhe En Nesyri me kokë gjen cepin e portës. 0-1 për Sevillan dhe loja bëhet më interesante.
Në pjesën e dytë, fituesit e Champions League mbajnë ritmin, por Sevilla është e frikshme në kundërsulm, teksa në dy raste mund të kishte shënuar me En Nesyri-n, por shpëtimtar bëhet portieri Ederson, që neutralizon sulmuesin maroken.

Dhe kur nuk shënon, e pëson. Në minutën e 63-të, Rodri kroson në zonë dhe talenti Palmer me kokë, nxjerr jashtë loje portierin e Sevilla-s. 1-1 dhe të besuarit e Pep Guardiolës marrin zemër edhe më shumë, teksa është Palmer që shfaqet sërish rrezikshëm me një gjuajtje me hark.

City nuk ndali sulmet deri në fund për të gjetur golin e fitores, por nuk erdhi, edhe pse krijoi disa raste të mira. Ndërsa Sevilla vetëm në një sulm të gjatë tentoi, por as ajo nuk ia doli. Mbyllet 1-1 dhe fituesi u vendos nga penalltitë, hera e parë që u aplikua në Superkupën e Evropës nëse ndeshja mbyllet në barazim.

Nga pika e bardhë e penalltisë, fati i buzëqeshi Manchester City-t, teksa i shënoi të pesë penalltitë, ndërsa Sevilla gaboi të fundit. Pep Guardiola barazon kështu Carlo Ancelottin në fitimin e Superkupave të Evropës, 2 herë me Barcelonën, 1 herë me Bayern dhe një herë me Cityn.

/Shqip.com