Sport Ndërkombëtar

Manchester City – Copenhagen, Guardiola e ka një kërkesë

Manchester City është duke kaluar një periudhë shumë të mirë, si në Ligën Premiere, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve, në të cilën sonte takohet me skuadrën daneze Copenhagen.

Trajneri i kampionëve të Anglisë, Pep Guardiola, ka thënë se skuadra e tij nuk guxon të bie pre e lëvdatave të shumta që ka marrë, sidomos në dy-tri ditët e fundit, prandaj kërkon të jetë maksimalisht e kujdesshme.

“Kemi marrë shumë komplimente në ditët e fundit (pas fitores 6:3 ndaj Manchester Unitedit) dhe kjo nuk më pëlqen fare, sidomos para një ndeshjeje kaq të rëndësishme. E kam shikuar me kujdes lojën që aplikon Copenhagen. Ata janë skuadër shumë e organizuar, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, kthehemi në realitet, të angazhohemi maksimalisht dhe të përpiqemi ta fitojmë këtë ndeshje të rëndësishme”, ka thënë Guardiola.  

Pavarësisht asaj që thotë strategu spanjoll, City në këtë ndeshje shihet si favorit absolut, madje ndër favoritët kryesorë për ta fituar Ligën e Kampionëve.

“Nuk është e lehtë të fitosh ndaj një skuadre të tillë. Ata ishin shumë të mirë ndaj Sevillas (0:0), kanë cilësi dhe guxim për të sulmuar. Nuk janë skuadër që luajnë me topa të gjatë në drejtim të sulmuesve. Duke i shikuar mbrëmë, jam befasuar me gjërat e bukura që i bënin në lojë”, ka shtuar numri një i bankinës së Cityt.

“Nuk mund të fitojmë sepse ne jemi Manchester City dhe ata Copenhagen ose pse ne fituam ndaj Unitedit dhe ata (Copenhagen) e ndërruan pikërisht tash trajnerin. Do të fitojmë vetëm nëse luajmë mirë dhe e bëjmë punën tonë”, ka theksuar Guardiola.

Në ndeshjen tjetër të Grupit G takohen Sevilla dhe Borussia Dortmund.

Pas dy ndeshjeve të para në grup, City kryeson renditjen me gjashtë pikë, Borussia Dortmundi ka tri, ndërsa Copenhagen e Sevilla nga një pikë.

/Shqip.com