Lajme

Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës

Toka dhe pylli përreth Manastirit të Deçanit, që shtrihen në një sipërfaqe prej 24 hektarësh.
Toka dhe pylli përreth Manastirit të Deçanit, që shtrihen në një sipërfaqe prej 24 hektarësh.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë ka njoftuar se Manastiri i Deçanit ka regjistruar në emër të tij 24 hektarë tokë në Kadastrën qendrore të Kosovës.

Në faqen zyrtare ata konfirmojnë se është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se tashmë e kanë marrë edhe certifikatën nga kadastri.

“Në bazë të ekstraktit kadastral mund të konfirmojmë që është zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 dhe Manastiri edhe në kadastër njihet si pronar i tokës së kontestuar më herët. Me këtë ne mundemi konkludojmë se procesi i kahershëm ligjor që është zhvilluar rreth 24 hektarëve tokë të Manastirit të Deçanit më në fund është zgjidhur”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti kishte urdhëruar javën e kaluar Agjencinë Kadastrale të Kosovës që t’ia regjistrojë pronën manastirit.

“Për të arritur një qëllim shumë më madhor që ia kemi borxh shtetit e që hap mundësi të papara më herët ne duhet të bëjmë një hap përpara me maturi e përgjegjësi si një vend i pavarur e sovran. Andaj, sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti në të kaluarën ka qenë njëri ndër kundërshtarët më të zëshëm që këto prona t’i jepen Manastirit. Kjo çështje është riaktualizuar nga shtetet e QUINT’it gjatë qeverisjes së Kurtit sidomos pasi Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Para dy javësh, Qeveria sinjalizoi se është pajtuar që këto prona t’i kalojnë Manastirit të Deçanit pasi ky është një kusht që Kosova të bëjë hapin e radhës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

/Shqip.com