Sport Ndërkombëtar

Malisheva kthehet me tri pikë të arta nga Skenderaj

Malisheva ka shënuar fitore tepër të rëndësishme në udhëtim te Drenica me rezultat 2:1, në kuadër të javës së 31-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Fillimi nuk paralajmëroi përfundim të tillë, pasi vendësit kaluan në epërsi që në minutën e 5-të me golin e shënuar nga Agim Zeka.

Por, festa e Drenicës zgjati vetëm, dy minuta, kur Malisheva i barazoi shifrat në 1-1 nëpërmjet Behar Maliqit që shënoi nga penalltia.

Mysafirët nuk u ndalën me kaq dhe përmbysën shifrat në 2-1 me golin e Tolajt, ndërsa Ronald Sobowale ishte asistues.

Në 45 minutat e dytë, dy skuadrat kishin raste të mira shënimi, por jo edhe efektivitet.

Në minutën e 63-të, Drenica mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, pasi Lopez da Silva – Maranhao u ndëshkua direkt me karton të kuq.

Ky nuk ishte kartoni i kuq i vetëm për skuadrën nga Skenderaj, pasi edhe në minutën e 90+4-të ata pranuan një të tillë, tani ishte Burim Veseli.

Pas javës së 31-të, Malisheva gjendet në vendin e shtatë me 36 pikë, ndërsa Drenica në të fundit me 23 sosh.

/Shqip.com