Lajme Ballkan

Mali i Zi tregon pse vendosi Kosovën me fusnotë

Flamuri i Malit të Zi dhe i Kosovës

Administrata Publike e Shoqërisë Digjitale në Mal të Zi ka thënë se “ftesa për pjesëmarrjen në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, që iu dërgua ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nga ministrja e Shoqërisë Digjitale të Malit të Zi, është në përputhje me statutin e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal”.

Kështu thonë nga Ministria e Administratës, të cilët shtojnë se i gjithë organizimi i këtij Samiti është në përputhje me rregullat për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

“Kështu që ftesa e dërguar ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli nuk ka shkelur protokollin diplomatik dhe praktikat më të mira multilaterale”, tha Ministria e Administratës Publike dhe Shoqërisë Digjitale e Malit të Zi”, thuhet në përgjigje, raporton REL.

Tutje, kjo Ministri ka deklaruar se Mali i Zi dhe Kosova kanë zhvilluar një marrëdhënie kuptimplote dhe cilësore, duke u bazuar në parimet e besimit reciprok dhe fqinjësisë së mirë.

“Ne jemi të bindur se në periudhën e ardhshme, ato (raportet Mali i Zi-Kosovë) do të përmirësohen edhe më tej në bazë të besimit dhe respektit reciprok”, thonë nga kjo ministri.

Nga Ministria e Ekonomisë së Kosovës nuk kanë komentuar deri më tani lidhur me këtë ftesë.

Ndryshe, paraditen e së enjtes, mediumi malazez, AntenaM, publikoi një ftesë të ministres së Shoqërisë Digjitale të Malit të Zi ndaj ministres së Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, duke shënuar Kosovën në të gjitha rastet me një yll. /Shqip.com