Sport Shqiptar

Mala fiton gjyqin me skuadrën turke

Futbollisti kosovar, Esat Mala e ka fituar gjyqin me klubin e Giresunspor. FIFA ka publikuar vendimin e muajt shkurt, sipas së cilit skuadra turke duhet t’i paguajë Malës 180 mijë euro. Në vendimin e publikuar veçohet se Giresunspor ka prishur në mënyrë të njëanshme kontratën me mesfushorin, me këtë të fundit që nuk ka luajtur për asnjë minutë me skuadrën turke.

Mala u transferua tek Giresunspor në verën e 2021, por pas dy muajsh u huazua tek Partizani e më pas nuk u kthye më në Turqi. Lojtari paditi klubin në FIFA, me qeverinë e futbollit që i ka dhënë të drejtë lojtarit.

Futbollisti, pasi mori konfirmimin e FIFA-s, siç saktësohet dhe në dokumentet e publikuara, firmosi me Vllazninë. 24-vjeçari, jo vetëm që do të marrë pagat me kamatëvonesë që i detyrohet klubi turk, por do të dëmshpërblehet për prishjen e njëanshme të kontratës.

Supersport mëson nga burime të sigurta se klubi turk ende nuk i ka shlyer detyrimet financiare ndaj lojtarit. Pavarësisht se kanë kaluar afatet që Giresunspor kishte për të kaluar shumën financiare në llogarinë e lojtarit. Përfaqësuesit e Malës vijojnë procedurat në mënyrë që të zbatohet vendimi i FIFA-s, i cili daton në 23 shkurt.

/Shqip.com