Lajme

Makina e përdorur nga autorët e sulmit ndaj TCH-së ishte vjedhur nga një kosovar

Policia e Shqipërisë ka jep detaje lidhur me sulmin që ndodhi dje ndaj Top Channel.

Përmes një njoftimi për media, makina që ishte  përdorur nga autorët për kryerjen e krimit, ishte vjedhur në vitin 2020 në fshatin Tale të Lezhës.

“Automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës. Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës”, thuhet në komunikatë.

Policia e Shtetit në Shqipëri ka prezantuar shumën e majme që do të ketë si shpërblim personat që ofrojnë informacione kredibile për kapjen e autorëve të sulmit ndaj Top Channel në Tiranë.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Policia e Shtetit ku thuhet se ata kanë vendosur 100 mijë euro si shpërblim.

“Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

Kujtojmë se nga ky sulm ka mbetur i vdekur roja i objektit, 60-vjeçari, Pal Kola.

Sipas njoftimit të Policisë, në kryerjen e sulmit janë përdorur kallashnikovë dhe nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Ndërsa, makina e tipit Range Rover  me të cilën kanë udhëtuar autorët e krimit është gjetur e djegur në autostradën Durrës-Rrogozhinë.

/Shqip.com