Lajme

“Magjistralja e vdekjeve”, rruga Prishtinë-Podujevë me shumë probleme, faji “top ping-pongu”

Punimet në rrugën Prishtinë-Podujevë

“Është magjistrale e vdekjeve”.

Kështu e cilëson një qytetar rrugën Prishtinë-Podujevë, nëpër të cilën kalon pothuajse çdo ditë nga shtëpia për në punë dhe anasjelltas.

Arton Rama nga Podujeva tregon për Shqip.com se në këtë rrugë që qarkullimi është i shpeshtë, por po aq të shpeshta janë edhe aksidentet, pasi rruga nuk i plotëson kushtet.

“Asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë direkt në ndonjë aksident, por kam parë shumë të tilla në këtë rrugë, si nga vendi i ngjarjes, po ashtu edhe në mënyra të tjera. E gjithë kjo për shkak të frekuentimit të madh të veturave dhe kushteve jo të mira të rrugës”, thotë ai.

Rama përmend mungesën e patrullimeve policore, që sipas tij “ua lejon shoferëve abuzues t’i rrezikojnë të tjerët në komunikacion”.

“Së pari institucionet që tani e 22 vite nuk kanë krijuar rrugë më të mirë. Së dyti i disa shoferëve që nuk i respektojnë shenjat dhe kushtet rrugore në këtë magjistrale. Dhe së treti i institucioneve të sigurisë, që nuk krijojnë siguri për të pranishmit në magjistrale, nga shoferët e padisiplinuar”.

Vetëm në janarin e këtij viti dy aksidente me tre të vdekur

Aksident në rrugën Prishtinë-Podujevë

Vetëm në janarin e vitit 2022 në këtë magjistrale ndodhën dy aksidente trafiku, nga të cilat jetë ndërruan tre persona.

Ndërsa, të dhënat nga Policia e Kosovës të dërguara për Shqip.com, tregojnë se gjatë vitit 2021 kanë ndodhur gjithsejtë 314 aksidente rrugore, me pasojë humbjen e tri jetëve.

Sipas PK-së, prej tyre 254 aksidente kanë ndodhur për shkak mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet në rrugë.

Burime të Shqip.com brenda këtij institucioni kanë treguar se kjo ndodh për shkak të mungesës së sinjalistikës dhe kyçje-daljeve të shpeshta.

Këtë e mbështet edhe eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti, i cili thotë se kjo rrugë ka anomali në sinjalizimin horizontal dhe vertikal si dhe problemi tjetër qëndron në vonesat për ndërtimin e rrugës me katër korsi që do t’i shmangte kyçje- daljet e vazhdueshme.

Sipas tij, për të parandaluar aksidentet në këtë aks rrugor ministria do të duhej të vendos radarë statikë dhe mobil.

Po ashtu “të ketë patrullime më të shpeshta të policisë dhe kontrollet teknike të jetë më rigoroze”.

Eksperti i komunikacionit, Bekim Ahmeti

Por, në anën tjetër, fajin për numrin e madh të aksidenteve, Ministria e Infrastrukturës ua hedhë shoferëve.

“Rruga Nacionale N25 Prishtinë – Podujevë është rrugë e cila ka qarkullim të madh të automjeteve dhe shkaktari kryesor i aksidenteve është tejkalimi i shpejtësisë së lejuar ose mospërshtatja e shpejtësisë  kushteve të rrugës”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie për Shqip-in.

MMPHI shton se në vazhdimësi përpiqet që të mbahet sinjalizimi i duhur por “edhe këtu shpeshherë na paraqiten probleme prej qytetarëve të cilët bëjnë dëmtimin, por edhe më shpesh largimin e tyre”.

Nga ky dikaster thonë se në rrugën Prishtinë-Podujevë kanë investuar me dy projekte kapitale në zgjerimin e saj, që për qëllim kanë lehtësimin e qarkullimit.

Megjithëkëtë, zgjerimi i rrugës magjistrale Podujevë-Prishtinë e njohur edhe si N25, ka filluar në vitin 2016 dhe ishte paraparë që të përfundojë për tri vjet. Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 5 vjet, punimet nuk kanë përfunduar.

Sipas ministrisë, problemi kryesor pengues që ka ndikuar e vazhdon të ndikojë në zvarritjen e punimeve është mos-shpronësimi i tokave përreth kësaj rruge./SHQIP.com