Lajme

Macron uron 28 Nëntorin: Franca e mbështetë plotësisht Shqipërinë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar letër urimi homologut shqiptar, Ilir Meta, me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, njofton Shqip.com.

Macron në mesazhin e tij ka rikonfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Më tej në letër urimin e Presidentit të Francës thuhet se ai është shprehur i lumtur që së shpejti do të bashkëpunojnë me Shqipërinë në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Mesazhi i plotë:

“Zoti President, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju përcjell gjithë përgëzimet e mia dhe në emër të popullit francez!

Dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019!

Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë.

Në këtë kontekst përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negovciatave të aderimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë.

Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendit tuaj në mbështetje të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe më gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kemi së shpejti në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Duke ju përtërirë përgëzimet e mia më të sinqerta, ju lutem të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës time të lartë”. /Shqip.com