Lajme Botë

Macron e quan të pafalshme vrasjen e të riut nga polici francez

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron - Sky News

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e ka quajtur të pafalshme vrasjen e një të riu të martën nga një oficer i policisë, duke shtuar se asgjë nuk e justifikon vdekjen e adoleshentit.

Komentet e Macron vijnë pasi protestat për vrasjen pushtuan rajonin e Parisit gjatë natës.

Nahel, 17 vjeçar, u qëllua në makinën e tij pasi nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia.

Por komentet e presidentit shkaktuan reagime të zemëruara tek sindikatat e policisë, të cilët e akuzuan atë se po nxitonte të gjykonte oficerët e përfshirë për rastin në fjalë.

Sindikata e Policisë së Aleancës bëri thirrje që policët të konsiderohen të pafajshëm derisa të shpallen fajtorë, ndërsa policia rivale Unite SGP foli gjithashtu për ndërhyrje politike që nxisin “urrejtjen kundër policëve”.

Ministri i Brendshëm, Gerald Darmanin, tha se do të ndërmerrte veprime ligjore kundër një grupi tjetër, Policisë së Francës, pasi publikoi një postim “të papranueshëm dhe të poshtër” në Twitter që kërkon të justifikojë vrasjen e adoleshentit.

Kryeministrja Elisabeth Borne tha se ndërhyrja e policisë “nuk ishte në përputhje me rregullat”.

Adoleshenti vdiq nga plagët e plumbave në gjoks, pavarësisht ndihmës nga shërbimet e urgjencës.

Oficeri i akuzuar se e qëlloi, i cili tha se kishte qëlluar pasi ndjente se i rrezikohej jeta, ndodhet në paraburgim me akuzën e vrasjes me dashje.

Një seri protestash u bënë të martën në Nanterre, zona në perëndim të Parisit ku u vra adoleshenti. Rreth 31 persona u arrestuan pas trazirave, shkruan BBC.

/Shqip.com