LVV zyrtarizon kandidaturën e Kusari-Lilës për kryetare të Gjakovës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, do të jetë kandidate e koalicionit midis Vetëvendosjes dhe Alternativës për kryetare të Komunës së Gjakovës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, njofton Shqip.com.
Kjo u bë zyrtarisht e ditur gjatë ditës së sotme nga LVV, ku me anë të një postimi në Facebook, tha se “fryma e shkëlqyeshme e bashkëveprimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës për Kosovën ka sjellë rezultate të mira në nivel qendror e tash është momenti ta zgjerojmë edhe në nivel lokal”.
Kusari-Lila ka qenë kryetare e Gjakovës në mandatin e shkuar.
Pas katër vjetësh qeverisje, ajo humbi në zgjedhjet e fundit lokale nga Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Në Kuvend, Kusari-Lila ka ushtruar detyrën e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. /Shqip.com