Lajme

LVV: Së pari heqja e masave ndëshkuese të BE-së, pastaj zgjedhjet në Veri

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), vazhdon të insistojë se fillimisht duhet të hiqen masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe pastaj të shpallen zgjedhjet në Veri.

Sipas tyre, për të pasur barazi në dialog me Serbinë, duhet të hiqen masat e vëna padrejtësisht ndaj Kosovës dhe pastaj të niset me procedurat të tjera.

Mirëpo, qasjen e tillë e kritikojnë në partinë më të madhe opoziare, PDK, ndërsa analistët politik kërkojnë një zgjidhje ku nuk lëndohet demokracia në veri por as dëmtohen raportet me aleatë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se procesi zgjedhor në veri duhet të jetë i lirë, fer dhe me qasje të të gjithëve.

Kritik ndaj këtyre qëndrimeve të pushtetit në raport me Bashkimin Evropian është anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti.

Ai thotë për KosovaPress se nuk mund të paragjykojnë secila do të jetë zgjidhja për dërgimin në zgjedhje të katër komunave në veri, por kryetarët nga radhët e PDK-së nuk do të jenë bllokues.

Në anën tjetër, analisti politik Visar Xani thotë se ekzekutivi duhet të gjejë një zgjidhje për shpalljen e zgjedhjeve në veri gjatë vjeshtës, qoftë me peticion apo dorëheqje të kryetarëve aktual.

Kushtëzimin ndaj Bashkimit Evropian për shpallje të zgjedhjeve në veri e ka potencuar gjatë kësaj jave edhe kryeministri Albin Kurti.

Ndërkaq, në Bashkimin Evropian kanë kërkuar nga pala kosovare të ndërmarrë hapa për shpalljen e zgjedhjeve sa më shpejt që të jetë e mundur në veri, por pa përmendur mundësitë e largimit të masave ndëshkuese.

/Shqip.com