Lajme

LVV në Prishtinë: Nuk kemi pasur ofertë konkrete nga LDK për bashkëqeverisje

Lëvizja Vetëvendosje.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, tha se nuk kanë marrë ndonjë ofertë për bashkëqeverisje nga dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë komunë dhe nga kryetari, Përparim Rama, përcjell Shqip.com.

Ai ka deklaruar se gjatë këtij mandati, në kryeqytet do të jenë në opozitë, teksa shton se ish-kandidati i LVV-së për kryetar të komunës, Arben Vitia, ka marrë një mesazh elektronik për pozitën e drejtorit të Shëndetësisë.

“Nga momenti i parë kur kanë dalë rezultatet kemi vendos me qenë opozitë konstruktive. Qëllimi ynë ka qenë që ta përfundojmë obligimin tonë si këshilltarë të zgjedhur. Ka qenë detyrë e koalicionit qeverisës që ta sigurojë shumicën.

Ne jemi subjekti më i madh në Kuvendin Komunal. Mendimi ynë i vetëm ka qenë raporti me qytetarët. Ne jemi në një mision që duhet përfunduar dhe ky mision është e mira e qytetarëve”, ka thënë ai në KTV.

Tutje, Sveçla u shpreh se do të jenë “opozitë klasike” dhe nuk do të jenë pjesë e ndërmarrjeve publike.

Po ashtu, ai hodhi kritika ndaj të parit të komunës, për të cilin tha se i ka dhënë 150 premtime, por që deri më tash nuk ka përmbushur asnjë./SHQIP.com