Lajme

Lutfi Haziri e thumbon Qeverinë e Kosovës

Lutfi Haziri dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka thumbuar kryeministrin Albin Kurti për nderimet që po ia bën ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Haziri në në 33-vjetorin e themelimit të Degës së LDK-së në Gjilan, derisa mbante fjalimin e tij tha se ua mundësuan kësaj qeverie gjunjëzimin para ikonave të LDK-së.

“Mësimi i kësaj klase politike që udhëheq me institucione duhet të jetë se ne që shkaktuam procese e realizuam ëndrra, u mundësuam juve që 24 orë, me më të dashurit tuaj, trup-rojet dhe sejmenët, të gjunjëzoheni para veprave tona, ikonave tona, varreve tona dhe të manifestoni me mjetet dhe mekanizmat që lamë trashëgimi. Dikush ka vdekur për këtë ditë, dikush është në burg e dikush në Kuvend të Republikës dhe institucione”, tha Haziri.

Tutje, Haziri tha se “LDK i dha Republikës formë, besim dhe shpresë, për dallim prej partisë në pushtet e cila është fatkeqësi që ua humbi shpresat e njerëzve, duke ua prekur direkt maxhen e çdo qytetari. Nuk ka arritur ta begatojë maxhen, por e ka varfëruar”.

/Shqip.com