Lajme

Lushtaku: Osmani e Kurti po përpiqen ta pengojnë kandidaturën time në Skenderaj

Sami Lushtaku
Sami Lushtaku

Sami Lushtaku, kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, ka deklaruar se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, “ po përpiqen ta pengojnë kandidaturën e tij në Skenderaj”.

Ai deklaroi se do të kandidojë për kryetar të Skenderajt, duke thënë se “do t’i fitojë zgjedhjet”.

“Edhe pse po pengohem, unë i siguroj qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor, për PDK-në, unë do të jem në krye të qeverisjes së Skenderajt”, ka thënë ai.

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka vërtetuar dënimin Sami Lushtakut për arratisje nga Burgu i Dubravës.

Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka ndaluar garimin në zgjedhje 160 kandidatëve për zgjedhje lokale – për shkak të problemeve me ligjin.

Kjo dispozitë kishte hyrë në fuqi përmes një verdikti të Gjykatës Kushtetuese, dhjetorin e vitit të kaluar dhe vlen për dënimet e prera në tri vitet e fundit.

Lexo edhe:
Probleme me ligjin: 160 kandidatë nga 30 subjekte s’mund të garojnë në zgjedhje lokale

Duke iu referuar kësaj Lushtaku në videon e publikuar në Facebook shto se “Albin Kurti është ai që nuk po e zbaton ligjin”.

“Por këtë nuk e ka bërë Albin Kurti i cili edhe pse i dënuar nga drejtësia, sot është kryeministër. Unë nuk i kam lënë vet asnjëherë qytetarët e vendit tim dhe nuk do t’i lë as këtë herë. Edhe pse po pengohem, unë i siguroj qytetarët se me besimin e tyre me 17 tetor për PDK-në, unë do të jem në krye të qeverisjes së Skenderajt”, deklaroi Lushtaku.

Lushtaku është shprehur i bindur që do t’i  fitojnë zgjedhjet.

“Skenderaj dhe PDK janë rritur e zhvilluar së bashku, andaj edhe në këto zgjedhje, PDK do të dalë fituese bindëse dhe unë do të jem pranë qytetarëve të Skenderajt në mandatin e ardhshëm”, tha ai. /Shqip.com