Lajme

Lumezi: Kemi treguar se jemi në gjendje të reagojmë në mënyrë adekuate në te gjitha situatat

Aleksandër Lumezi

Rezultatet në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit si dhe plotësimin e kushteve për liberalizimin e vizave, sa i përket anës ligjore, janë disa tema kyç për të cilat ka folur Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi.

Lumezi ka thënë se gjatë mandatit të tij ka qenë e rëndësishme luftimi i krimit të organizimit, korrupsionit dhe sipas tij Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, që ka qenë një kusht i rëndësishëm.

“Jemi te pakënaqur me dënimet e shqiptuara nga Gjykatat, por nuk mund te themi se nuk kemi paraqitur fakte”, ka thënë Lumezi.

“Kemi treguar se jemi në gjendje të reagojmë në mënyrë adekuate në te gjitha situatat. Është bërë një punë mjaft e madhe që vërtetohet nga rezultatet konkrete, kemi hetuar ish-kryeministra, ministra, kryetar te komunave, policë”, tha ai në RTK.

Kryeprokurori i Shtetit si rezultat e ka përmendur edhe konfiskimin e 17 milionëve, pasuri e cila është fituar paligjshme, si dhe rastin e arrestimit të 50 zyrtarëve shtetërorë, aksionin për rastin “Subvencionet” dhe rastin “Brezovica”.

Kujtojmë se, Aleksander Lumezi, ishte i përfshirë në dosjen Inteligjenca e Zhvatjes në përgjime, ku janë shkarkuar një prokuror, një gjyqtar dhe shefi i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.