Lajme

Lumezi: Brenda sistemit të drejtësisë ka gjëra që duhet përmirësuar, duhet adresuar vetëm nga pushteti gjyqësor

Lumezi në tryezën e Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë “EUKOJUST”.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se brenda sistemit të drejtësisë ka gjëra që duhet të përmirësohen, përcjell Shqip.com.

Mirëpo, ai thotë se këto probleme duhet adresuar vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht pushteti gjyqësore dhe jo pushtete tjera.

Këto deklarata ai i ka bërë në tryezën e Komitetit Drejtues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë “EUKOJUST”, ku qëllimi i saj ishte prezantimi i Raportit për Ndarjen e pushteteve dhe Pavarësia e Gjyqësorit.

“Nuk pretendoj se ne nuk kemi gabime. Mirëpo gabimet që kemi, duhet të adresohen vetëm nga institucionet e pavarura kushtetuese, përkatësisht nga pushteti gjyqësor.

Andaj Ekzekutivi dhe Legjislativi mund të përmirësojnë punën tonë, duke na ndihmuar me përkrahje në buxhet, miratim të ligjeve dhe respektim të pavarësisë që kemi, si dhe me anë të fuqizimit të mekanizmave brenda vetë sistemit për të adresuar problemet dhe lëshimet e hasura deri më tani”, tha Lumezi.

Tutje, duke folur për pavarësinë institucionale, Lumezi theksoi se nuk është “rastësi” ndarja e pushteteve dhe se kjo duhet respektuar nga të gjithë.

“Nuk është rastësi as fakti se jemi mekanizëm i pavarur kushtetues. Ne bëjmë punën tonë. Pavarësisht nëse kjo i pëlqen dikujt tjetër apo jo. Mirëpo është jetike për një shtet demokratik dhe për një shoqëri demokratike që ndarja e pushteteve të mos figurojë vetëm si garanci kushtetuese në letër, por kjo të garantohet në praktikë dhe të respektohet plotësisht.

Veprimtaria e organeve të pushtetit gjyqësor nuk mund të kontrollohet nga organet e një pushteti tjetër”, shtoi ndër tjerash ai.

Po ashtu, kryeprokurori ka shprehur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet tjera, por vetëm “në suaza të mosndërhyrjes në punët e njëri-tjetrit dhe respektimin e pavarësisë institucionale dhe kushtetuese”.