Lajme

Lulzim Rafuna zgjedhet kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës

Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna

Ish-drejtori i Doganës, Lulzim Rafuna, është zgjedhur kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidati tjetër për kryetar të OEK, Ruzhdi Kurtishaj, i cili deri tani ishte kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike, ku ka uruar kundërkandidatin e tij për postin e marrë.

“Dua të falënderojë të gjithë delegatët ata që më votuan dhe ata që nuk më votuan për pjesëmarrjen e tyre ne zgjedhjet e OEK-ut. Urime Kryetari të ri te Oda Ekonomike e Kosovës z. Lulzim Rafuna. Suksese organeve të reja të Odës Ekonomike të Kosovës!”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe pjesë e kësaj garë ishte dhe Erëza Vela e cila është një afariste e suksesshme në Kosovë.

Oda Ekonomike Kosovës (OEK), është organizatë profesionale e themeluar nga Kuvendi i Kosovës. OEK-u është organizatë profesionale e pavarur, jopolitike dhe jofitimprurëse. Është institucioni i vetëm i biznesit i themeluar me ligj dhe veprimtaria e OEK-ut zhvillohet mbi bazën e këtij Ligji (Ligji mbi Odën Ekonomike të Kosovës 2004/7) i miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

OEK është institucion në shërbim të ekonomisë kosovare, partner konstruktiv i institucioneve shtetërore të Kosovës, partner në dialogun social si dhe promotor i zhvillimit ekonomik dhe politikave të mira makroekonomike.

Oda Ekonomike e Kosovës analizon gjendjen ekonomike të Kosovës dhe aktivisht propozon forma të reja dhe të avancuara të biznesit vendor dhe bënë ndërkombëtarizimin e ndërmarrësisë kosovare. Oda Ekonomike e Kosovës kontribuon në zhvillimin e ndërmarrjeve, po ashtu me profesionalizmin dhe vendosmërinë e saj kontribuon në përafrimin e biznesit kosovar dhe shoqërisë kosovare me vlerat evropiane.

OEK ka selinë qendrore në Prishtinë dhe njësitë rajonale në : Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan.