Lajme

Luksemburg: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi, thelbësor për stabilitet rajonal

Ministria e Punëve të Jashtme e Luksemburgut thotë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësore për stabilitetin rajonal, njofton Shqip.com.

Kështu thonë nga kjo ministri pas vizitës së kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila ka qëndruar sot në një vizitë zyrtare në Luksemburg, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë shtetërorë të këtij vendi.

Me anë të një postimi në ‘Twitter’, MPJ-ja e Luksemburgut ka bërë të ditur se Gërvalla ka takuar sot ministrat Jea Asselborn dhe Franz Fayot, me të cilët ka diskutuar për të zgjeruar më tej marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes të dy shteteve.

“Jean Asselborn dhe Franz Fayot mirëpritën ministren për Punë të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla – Schëarz për një vizitë punë në Luksemburg për të diskutuar mënyrat për të zgjeruar më tej marrëdhëniet mes Luksemburgut dhe Kosovës dhe bashkëpunimin dypalësh, dhe për shkëmbime në procesin e integrimit në BE dhe bashkëpunim rajonal”, thuhet në postim.

Tutje, bëhet e ditur se ministri i Jashtëm Asselborn theksoi se është e rëndësishme që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të përfundojë me një marrëveshje e cila është ligjërisht e detyrueshme në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

“Asselborn nënvizoi rëndësinë e ndjekjes së një dialogu aktiv dhe konstruktiv midis Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për stabilitetin rajonal dhe integrimin në BE”, thuhet në postimin e MPJ-së së Luksemburgut. /Shqip.com