Sport Shqiptar

Luiza Gega arrin atë që nuk e ka arritur askush më parë

Luiza Gega ka vazhduar me rekorde. Kampionia e Evropës u bë e para atlete që arrin të marrë tri medalje të arta në një Kampionat Ballkanik. Askush më parë nuk ia kishte dalë.

Treshen e të artave, Gega e plotësoi të dielën me triumfin në garën e 5000 metrave, ku po përpiqet të përshtatet gjithnjë e më shumë, dhe ku ka ambicie të mëdha në të ardhmen.

Atletja shqiptare ia doli të triumfonte në turneun që po zhvillohet në Kralevë të Serbisë, duke dhënë kohën 16’07”93, ndërsa rivalet i la shumë prapa. Të shtunën, Gega fitoi dy herë. Ajo njëkohësisht u shpall kampione e Ballkanit në garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa, dhe siguroi formalisht kualifikimin për në Lojrat Olimpike.

Koha ishte 9’21”53, ndërsa norma olimpike është deri në 9’23”. Formalisht kualifikimi u arrit sepse periudha e vendosur nga Federata Botërore e Atletikës nisi në 1 korrik, dhe gara në Kampionatin Ballkanik ishte e para për Luizën që nga ajo kohë.

/Shqip.com