Lajme

Luftimi i krimit e korrupsionit faktorë kyç për tërheqjen e investimeve

Investimet e huaja në Kosovë

Niveli i lartë i krimit e korrupsionit në vend po i frikëson investitorët potencialë që kapitalin e tyre ta sjellin në Kosovë.

Ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica, ka thënë se vetëm duke treguar rezultatet në këtë drejtim mund të binden investitorët e huaj për investime.

“Një ndër faktorët kryesor për me ardh një investitor i huaj në një vend është luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe ambientit të sigurt që ata investitor mundem me gjet veten pa pas probleme. Mendoj që Qeveria ka dhënë shenja që është duke e bërë këtë punë dhe faktikisht Kosova tash e ka një imazh më të mirë në skenën ndërkombëtare se sa e ka pas në të kaluarën. Përpara gjithmonë imazhet televizive ndërkombëtare e kanë qit Kosovën si një vend ku është pos konfliktuoz, por ka krim, korrupsion e nuk ka ambient të mirë për investime”, ka thënë ai.

Ish-drejtori i Doganës, Naim Huruglica

Edhe pse thotë se Qeveria është duke krijuar kushte për tërheqjen e investimeve të huaja, Huruglica thekson se duhet punuar në reforma të politikave e të administratës publike në mënyrë që Kosova të bëhet vend i përshtatshëm për investime.

“Kjo Qeveri së paku deri sot ka dëshmuar që imazhi është duke u përmirësuar, por normal për të krijuar kushte për investime ajo është vetëm faza e parë, domethënë imazhi është si letërnjoftim sa për me ardhë me hy. Duhet me vazhduar me punuar në reforma të politikave, reforma të administratës publike me qëllim që kompanitë e huaja po edhe investitorët vendor me gjet Kosovën si vend të përshtatshëm për investime”.

Huruglica më tej shtoi se investimet po i pengon edhe dialogu pa epilog me Serbinë dhe mosnjohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian (BE).

“Kjo nuk është e mjaftueshme përderisa ta kemi të hapur problemin me Serbinë. Mosnjohja prej Serbisë edhe prej 5 vendeve të Bashkimit Evropian akoma po i bënë hezitues kompanitë e huaja rë vijnë dhe të investojnë në Kosovë, sepse ata po duan të shohin a do të jetë e ardhmja e Kosovës e sigurt në kuptimin si shtet i formuar në tërësi. Realisht ka akoma shumë vend për të përmirësuar procedurat, po nuk kam parë negacion, përmirësim është më mirë se sa ka qenë ta zëmë para dy viteve”, ka deklaruar ish-drejtori i Doganës.

Tutje Huruglica thotë se në Kosovë normat tatimore janë më të ulëtat në Evropë, gjë që mund të nxisë investimet, por vlerëson se non-stop janë të nevojshme format të cilat shkojnë në përmirësimi të ambientit të të bërit biznes.

“Kosova  ka qenë diku e renditur tek vendi i 40-45  prej Bankës Botërore për të bërë biznes që është shumë mirë, është bukur lart, por prapë nuk mjafton. Duhet non-stop të bëjnë reforma të cilat shkojnë në përmirësimi të ambientit”, ka përfunduar Huruglica.

Ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Musa Limani, ka thënë se investitorëve duhet t’u ofrohet infrastrukturë, të luftohet ekonomia informale, korrupsioni e familjarizimi.

“Normalisht që po mos stabiliteti politik, stabiliteti ekonomik ka një ndikim të veçantë në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe veçmas të diasporës shqiptare. Këtu ne kemi një mangësi si shtet për arsye se as qeveritë e më parëshme dhe unë nuk po e shoh tani edhe Qeverinë aktuale që krijon para kushte dhe kushte për tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe veçmas të diasporës”, ka thënë Limani.

Ish-dekani i Fakultetit Ekonomik, Musa Liman

Por sipas tij, asnjë Qeveri më parë e as Qeveria aktuale nuk po krijon kushte për tërheqjen e investimeve të huaja veçmas të diasporës.

“Qeveria duhet të krijojë kushte. Një prej atyre duhet të jetë që të garantojë kapitalin e tyre, mandej do t’i lirojë nga ngarkesat e politikave fiskale, duke filluar nga TVSh, doganat ose tatimi në pagë. T’i ofrojë infrastrukturë, mandej ta luftojnë ekonominë informale, korrupsionin, familjarizimin etj” ka përfunduar ai.