Lajme

Lufra dhe Erzeni krime kundër shëndetit të shqiptarëve. Qumështi i kontaminuar me aflatoksinë – E vërteta tronditëse e analizave të AKU

Nga kontrollet e kryera në territorin e Vlorës, AKU ka zbuluar se produktet e kontaminuara i përkasin dy prej markave më të njohura në vend: Lufra e Arben Ndrekës dhe Erzeni i sipërmarrësit Isuf Begaj. Nga 26 mostra të marra nga janari deri në prill 2025, 10 prej tyre kanë rezultuar pozitive dhe sipas specialistëve 40% e qumështit të kontrolluar ishte i kontaminuar mbi normat e sigurisë ushqimore

Aflatoksina është një toksinë e krijuar nga myku që rritet tek drithërat, misri dhe gruri. Kur lopët ushqehen me foragjere të kontaminuara aflatoksinë sekretohet më pas te qumështi që prodhojnë. Konsumimi i qumështit me aflatoksinë ka pasoja të rënda në shëndetin e njeriut. Sipas OBSH-së aflatoksinë është kancerogjene e grupit 1, rrit rrezikun për probleme në mëlçi njëkohësisht dhe të veshkave.

Kjo substancë është e njohur për efektet e saj kancerogjene dhe gjenotoksike, veçanërisht të rrezikshme për fëmijët dhe konsumatorët e rregullt të qumështit.

Miliona litra vaj palme në qumësht

Çdo vit, në Shqipëri, futet përmes pikave doganore, rreth 3 milionë litra vaj palme. Në vitin 2024, Shqipëria importoi një sasi galopante prej 2.9 milionë litrash vaj palme, që u përdor masivisht në industrinë e përpunimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij.

Sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore, kjo është një praktikë që po zëvendëson gjithnjë e më shumë përbërësit natyralë, në një përpjekje të industrisë për të përballuar mungesën e prodhimit vendas dhe kërkesën gjithnjë e më të lartë, sidomos gjatë sezonit turistik

Ekspertët sinjalizojnë se rënia drastike e numrit të gjedhëve në vend ka çuar në një krizë të prodhimit të qumështit të freskët. Përballë kërkesës në rritje, sidomos në periudhat e fluksit turistik, industria ka zgjedhur rrugën më të lirë, por më të rrezikshme: shtesat artificiale.

Vaji i palmës, për shkak të kostos së ulët, përdoret për të rritur volumin e prodhimit dhe për të ulur çmimet. Por ky “kompromis ekonomik” sjell me vete rreziqe serioze për shëndetin publik, sidomos kur përdoret në mënyrë të fshehtë, pa transparencë në etiketim dhe pa kontrolle të mjaftueshme nga institucionet shtetërore.

Lufra përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE për bujqësinë

Fondet e akorduara nga Bashkimi Evropian dhe taksapaguesit shqiptarë për bujqësinë kanë përfunduar në duart e bosëve të krimit dhe drogës, oligarkëve, sekserëve, familjarëve të politikanëve etj., por edhe të biznesmenëve që mashtrojnë me qumështin dhe nënproduket e tij, ndërsa fermerët e vërtetë kanë mbetur duarbosh.

Kjo është arsyeja se pse Brukseli njoftoi Shqipërinë për ndërprerjen e këtyre fondeve, pas një raporti të Zyrës Europiane kundër Mashtrimit, OLAF, institucion që heton dyshimet për abuzime me fondet e Bashkimit Europian.

Lufra e biznesmenit Arben Ndreka kështu ka fituar nga fondet e BE-së shumën prej 800 mijë euro. Ndërsa nga ana tjetër po kjo kompani helmon çdo ditë konsumatorët me produktet e saj të kontaminuara.

Gjithashtu, Lufra është denoncuar edhe nga deputeti i PS, Erion Braçe se po shkatërron fermerët.

Lexo edhe:
Qumështi dhe kosi me kimikate? “Lufra” akuzohet se po rrezikon shëndetin e qytetarëve. Si pronari Arben Ndreka përfitoi 800 mijë euro nga fondet e BE?

©Shqip.com