Sport Shqiptar Ndihmë po, privatizim jo

Lorik Cana – një fije shprese për Vëllaznimin

KF Vellaznimi

Ta shikojnë Vëllaznimin duke luajtur në Superligë – mbetet ëndërr e tifozëve gjakovarë që nga viti 2018.

Problemet e shumta financiare kanë bërë që madhështia e klubit të zbehet, por një fije shprese e quajtur “Lorik Cana” po e mban ekipin me traditë gati 100 vjeçare – në jetë.

Ish-futbollisti i kombëtares shqiptare po i qëndron kuqezinjve pranë – në këto ditë aspak të lavdishme.

Për Shqip.com, menaxheri i Vëllaznimit, Besnik Gojani, ka treguar ndihmën e pashoq që Cana po i jep skuadrës së qytetit, por ka mohuar zërat për privatizim.

“Lorik Cana i ka qëndruar prapa Vëllaznimit gjithmonë. Ai është duke u mundu që deri sa klubi të privatizohet – t’i jap një gjendje stabile financiare, por jo ashtu siç e kanë dhënë në portalet tjera. Cana nuk ka kursyer ndihmat asnjëherë, por nuk është duke e privatizuar”.

Besnik Gojani – menaxher i KF Vëllaznimit

Gojani shtoi se “prioritet e kemi kryerjen e obligimeve të cilat i kemi ndaj disa futbollistëve dhe Cana po mundohet të na ndihmojë që të jemi 00”.

“Ai dëshiron që të ec me këmbë në tokë, ta mbajë klubin gjallë. Meqë askush nuk po paraqitet, ky po na ndihmon si gjithmonë. Edhe nëse dikush e privatizon klubin, ai ka thënë se do ta na ndihmojë përsëri” potencon Gojani.

Ani pse nuk ka ndonjë detyrë udhëheqëse në klub, Loriku nuk ka kursyer nga xhepi i vet për t’i zgjidhur problemet e Vëllaznimit.

“Na ka ndihmuar privatisht, teksa është mundu me na gjet edhe sponsorë. Loriku dëshiron që të ketë një kujdes të madh me grupmoshat – që të avancojnë sa më shumë” – potencoi menaxheri në fjalë.

Lorik Cana me fanellën e Vëllaznimit, foto nga e kaluara

Famlija Cana ishte munduar ta kthej Vëllaznimin në binarë edhe në vitin 2018, kur postin e kryetarit të klubit e kishte marrë Agimi, babai i Lorikut.

Por, një vit më pas – ai kishte dhënë dorëheqje, teksa kuqezinjtë ishin mposhtur në ndeshjen e barazhit – ndaj Trepçës 89.

Sezonin e fundit, skuadra me traditë e mbylli në vendin e tretë të Ligës së Parë, Grupi A, me 38 pikë të grumbulluara. /Shqip.com