Sport Shqiptar

Lojtaret e kombëtares së Kosovës presin sukses në Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla

Kombëtarja e Kosovës në kategorinë e femrave do të marr pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.

Ky kompeticion do të mbahet në Qipro nga 28 qershori deri më tre korrik.

Derisa dy lojtaret e Kombëtares së Kosovës, Përquku dhe Tuhina u shprehën optimiste për këtë kampionat.

Kapitenia e Përfaqësueses, Arbnore Përquku, tha se qëllimi i vetëm është shpallja kampion.

“Vitin e kaluar kemi zënë vendin e tretë, kurse këtë vit presim që të dalim kampion përballë përfaqësueseve që marrin pjesë. Është viti i dytë rresht që jam kapitene. Është ndjenjë shumë e veçantë. Përveç që është ndjenjë shumë e mirë, është edhe përgjegjësi pasi që përfaqësojmë ngjyrat e shtetit në arenën ndërkombëtare”, tha ajo.

Edhe basketbollistja, Astera Tuhina, është shprehur optimiste për garat në Qipro.

“Shpresojmë që ta përfundojmë Kampionatin si kampione, nuk është shumë e vështirë për ta arritur, por duhet shumë punë, do të japim maksimumin që të paraqitemi sa më mirë” ka thënë Tuhina për faqen e FBK-së.

Kosova aventurën në Nicosia të Qipros e fillon më 28 qershor në ndeshjen me Maltën./Shqip.com