Sport Ndërkombëtar

Lloris mungon gjashtë deri në tetë javë

Tottenham Hotspur siguroi një fitore të madhe në sfidën e kaluar në Premier Ligë përballë Manchester City.

Skuadra e Antonio Contes mundi në shtëpi 1-0 kampionët në fuqi të Anglisë, megjithatë, së fundmi, Tottenhami ka marrë një lajm të keq.

Kapiteni i ekipit Hugo Lloris pësoi një dëmtim në gju në ndeshjen e fundit dhe do të mungojë për një kohë të konsiderueshëm në periudhën më të rëndësishme të sezonit.

Portieri me origjinë franceze nuk do të jetë i gatshëm për gjashtë deri në tetë javë, rikthimi i tij pritet të ndodhë në fillimin e muajit prill.

Një goditje e rëndë për Tottenhamin në prag të disa sfidave shumë të rëndësishme në Premier Ligë dhe Ligën e Kampionëve. 

I gatshëm për Tottenhamin pritet të jetë portieri i dytë, anglezi Fraser Forster.

/Shqip.com