Lajme

Lloga ironizon Izet Mexhitin e Bilall Kasamin: Njëri ka 21 vjet në pushtet, tjetri “kaloi ylberin”

Debatet dhe përplasjet e ditëve të fundit te Aleanca për Shqiptarët vijojnë të dominojnë skenën politike në Maqedoninë e Veriut. Një deklaratë e nxituar e kreut të ASH, Arben Taravari se do të shkojë në koalicion me opozitën shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ka ndezur polemikat. Taravari nuk e ka respektuar statutin për të thirrur strukturat në mbledhje, pasi janë forumet drejtuese ato që përcaktojnë të ardhmen politike të ASH, por vendosi vetë ai në mënyrë të njëanshme.

Vendimi i Taravarit është kundërshtuar nga shumica e Aleancës për Shqiptarët. Kjo pask dalja në koalicion me opozitën favorizon VMRO-në e Hristian Mickoskit e cila njihet për ideologjinë e saj antishqiptare të dëshmuar haptazi që nga vitet kur ish-lideri i saj Nikola Gruevski ishte kryeministër.

Nisur nga ky fakt, Sekretari i Përgjithshëm i ASH, Krenar Lloga shprehet se Aleanca do të dalë e vetme në zgjedhje dhe ky, sipas tij, është vullneti i shumicës së Kryesisë dhe anëtarëve të Kuvendit Qendror.

Në një intervistë pë Euronews Albania, Lloga ironizon edhe ata të cilët po shërbejnë për të përçarë ASH-në, Izet Mexhitin e Bilall Kasamin. Për Mexhitin, Lloga tha se ka 21 vjet në pushtet qoftë si deputet apo edhe si kryetar i komunës së Çairit dhe ka qenë ndër figurat kryesore të BDI.

Ndërsa për kryetarin e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, numri dy j ASH, Krenar Lloga tha se ai ka “kaluar ylberin”, duke kandiduar për parti maqedonase, ndërsa e quajti produkt të BDI, nga doganier e deri këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë.

Zoti Mexhiti, nga 21 vite pushtet, ka 20 vjet e 11 muaj. Është nënkryetar i partisë, deputet gjithë kohës, për 3 mandate kryetar i komunës së Çairit. Dhe mban krejt peshën e asaj që akuzon sot. Ai ëshë bashkëpjesëmarrës në të gjitha meritat dhe dështimet e BDI.

Zoti Bilall Kasami e ka nisur karrierën e tij në BDI fillimisht si doganier dhe këshilltar shtetëror në Ministrinë e Ekonomisë. Ka qenë në listat për deputet të BDI-së dhe së paku 2 herë ka bashkëqeverisur me BDI. Dhe mos harroni Bilall Kasami, kryetar i Beses, ka kaluar edhe ylberin për shqiptarët e Maqedonisë. Ai ka garuar si bartës liste për Lidhjen Socialiste të Maqedonisë dhe ka garuar me siglën e një partie maqedonase. Dhe sot ai thirret në emër të një opozite, është e turpshme kjo që po ndodh.

E njëjta është edhe për Afrim Gashin i cili ka qenë në bashkëqeverisje me BDI dhe ka 15 vite karrierë politike në BDI. Ne i themi si Aleancë për Shqiptarët jo BDI-së, por edhe ‘BDI-ve të vogla’. Ndoshta kryetari i Aleancës ka zgjedhur rrugën e një prej BDI-ve”, u shpreh Lloga.

Të shtunën në orën 13.30, Aleanca për Shqiptarët do të mbledhë Kuvendin Qendror i cili do të diskutojë pozicionimin në zgjedhjet e 8 majit si dhe do të analizojë vendimet e Arben Taravarit.

/Shqip.com