Sport Shqiptar

Llapi eliminon Malishevën nga Kupa e Kosovës dhe kalon në gjysmëfinale

Llapi kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës
Llapi kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Llapi e ka eliminuar Malishevën nga Kupa e Kosovës, duke kaluar kështu në gjysmëfinale përmes penalltive (6-5), pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan 2-2.

Pas 11 minutash lojë, llapjanët kaluan në epërsi me anë të Trimor Selimit.

Por, mysafirët nuk u dëshpëruan dhe i barazuan shifrat në 1-1 me golin e Ilir Mustafës (25’).

Mirëpo, Llapjanët tre minuta më vonë menduan se kishin shënuar golin e epërsisë, kur Rivera e futi topin në rrjetë, e aty intervenoi VAR-i për të sinjalizuar për pozicion jashtë loje.

Derisa po përfundonte pjesa e parë, malishevasit ia dolën të përmbysnin rezultatin, për 2-1 me golin e Ronald Sobowales (43’).

Në 45 minutat e dytë, Llapi startoi më mirë, me çka edhe ia doli të shënonte golin e barazimit për 2-2 me anë të Kushtrim Shabanit re shënoi në minutën e 68-të.

Dy skuadrat nuk ia dolën të shënonin më gola, duke bërë që ndeshja të shkonte në vazhdime, ndërsa në këtë pikë rrjetat mbetën të paprekura.

Kjo bëri që ndeshja të shkonte në gjuajtjen e penalltive, ndërsa Llapi u tregua më i saktë duke realizuar gjashtë, për dallim nga Malisheva që realizoi pesë sosh.

Llapi iu bashkua Prishtinës, Gjilanit dhe Vushtrrisë, që po ashtu kaluan në gjysmëfinale.

/Shqip.com