Lajme

Lladrovci: PDK-së i duhet unitet për të mirë të Kosovës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

Kryetar i komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, e ka përshëndetur Konventën e 10-të të Partisë Demokratike të Kosovës që po mbahet sot, ku do të zgjedhet kryetari i ri i kësaj partie, shkruan SHQIP.

Lladrovci tha se kësaj partie i duhet unitet dhe së emëruesi i përbashkët është bashkimi i tyre.

“Uniteti ishte çelësi i suksesit tonë kundër okupatorit deri në çlirim, ishte çelësi i suksesit në shtet formim e shtet ndërtim. Andaj, uniteti i duhet PDK-së, sepse është për Kosovën dhe qytetarët e saj. Kemi për të bërë rrugë të pandalshme, për Republikën e Kosovës, për kombin tonë. Në këtë rrugë, bashkimi ynë le të jetë emërues i përbashkët”, ka deklaruar Lladrovci.

Ai përmendi edhe dy ish-liderët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, për të cilët tha se atyre u është mohuar jeta dhe puna në Kosovë.

“Sot, kur padrejtësisht u është mohuar jeta dhe puna në Kosovë, pranë familjeve të veta dhe familjen më të përkushtuar për shtet formim e shtet ndërtim,  Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, uroj që punimet, përfundimet dhe vizioni që do të dalë nga kjo Konventë, të jenë të njëjta sikur ata të ishin me ne”, ka shtuar më tutje ai.

Gjatë ditës së sotme është duke u mbajtur konventa e PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie.

Deri më tani kandidaturën e ka shpallur vetëm deputeti i kësaj partie, Memli Krasniqi./SHQIP.com