Lajme

Lladrovci: Mehaj la gjurmë në zhvillimin dhe fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës 

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se nuk është gëzuar për dorëheqjen e Armend Mehajt nga posti i ministrit të Mbrojtjes.

Ai tha se Mehaj ishte ministër që la gjurmë në zhvillimin e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përafrimin e saj me NATO-n.

“Dorëheqja e Ministrit Armend Mehaj, nuk më gëzoi aspak. Ai ishte ministër që la gjurmë në zhvillimin e fuqizimin e Ushtrisë së Kosovës dhe përafrimin e saj me NATO-n. Ai ka dëshmuar lidership me vizion dhe integritet në funksionin madhor në krye të Ushtrisë tonë, të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka shkruar Lladrovci.

I pari i Drenasit ka thënë se është befasuar nga Mehaj në takimin e parë.

“Në takimin e parë më ka befasuar me kujtimet e përbashkëta tona familjare të cilat unë nuk i kam ditur, nga ajo ditë, respekti im për Ministrin Mehaj, ka qenë maksimal. Një ushtarak i rritur në Norvegji e të ketë dije e njohuri për detaje të tilla, më lanë kujtime të paharruara me respekt.”

Sipas Lladrovcit, Mehaj ka lartësuar ushtrinë e Kosovës “me pjesëmarrje të ushtarëve e oficerëve në nivele ndërkombëtare, duke e afruar me popullin, me nderime për heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit, duke mos përjashtuar vlerat e UÇK-së dhe të gjithë kontribuesit e lirisë tone”.

“Si njohës i vlerave të NATO-s, Ministri Mehaj, ushtrinë e Kosovës e fuqizoi partneritetin dhe besueshmërinë me aleatët, me potenciale të reja, vizion të arritshëm, krah vendeve aleate. Sot, ndjej keqardhje për dorëheqjen e tij, por, jam i bindur se profesionistët si ai, janë dhe mbesin vlerë e kombit”, ka shkruar Lladrovci.

Në fund, ai e ka falënderuar “thellë” Mehajn për punën që ka bërë për Ushtrinë e Kosovës dhe i ka uruar suksese në punë e në jetë.

“Shpreh falënderim të thellë për punën që ka bërë për Ushtrinë e Kosovës Ministri Mehaj. I uroj suksese në punë e në jetë!”

/Shqip.com